Të dielën betohet Presidenti i ri, Bajram Begaj. Zbulohet axhenda
Me 24 korrik, ditë e dielë, do të mbahet ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës nga Presidenti Ilir Meta tek Presidenti i ri, Bajram Begaj. Fillimisht do të jetë betimi në Kuvendin e Shqipërisë në orën 18:00. Seancën do ta drejtojë vetë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Pas leximit të formulës së betimit, Begaj do të betohet para deputetëve të Kuvendit, dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse.
Ceremonia e dytë do të zhvillohet në ambientet e Presidencës. Ajo është parashikuar të zhvillohet në orën 19:30. Në këtë ceremoni bëhet dorëzimi i detyrës nga presidenti aktual, Ilir Meta, tek Presidenti i ri, Bajram Begaj, i cili mësohet se do të shoqërohet nga familja e tij.
Në mënyrë simbolike kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, do i dorëzojë Presidentit Begaj, Kushtetutën e vendit. Pjesë e ceremonialit do të jetë dhe shoqërimi i emërimit të kreut të shtetit me 21 të shtëna topi artilerie me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, flamuri kombëtar qëndron i ngritur.
Më pas Bajram Begaj do të bëjë përshëndetjen e rastit e ku do të bëhet parakalimi tradicional i truprojës së nderit. Pas kësaj, të pranishmit ftohen në Pallatin e Brigadave për të marrë pjesë në pritjen zyrtare.
Me 24 korrik ora 19.00 Bajram Begaj hyn në zyrën e Kryetarit të Shtetit për 5 vjet, kurse Ilir Meta zbret në Bulevard, në atë Bulevard ku mendon se do të udhëtojë ambicia e tij për tu bërë kryeministër për së dyti.