“Të fortët bëhen politikanë”, Lubonja: Kriza nuk zgjidhet me Reformën Zgjedhore
Analisti Fatos Lubonja tha në një lidhje me “Skype”, në rubrikën “Opinion”, në News24, se Reforma Zgjedhore nuk i jep fund krizës së thellë politike, pasi sipas tij, problemi në vend është shumë më i madh. Lubonja u shpreh se Kodi Zgjedhor ka shumë gjëra për të ndryshuar, që lidhen me realitetin shqiptar.
“Kodi Zgjedhor ka shumë gjëra për të ndryshuar. Janë ndryshime që lidhen me realitetin shqiptar. Nuk është ideja të marrin amerikanin, gjermanin, por sistemin zgjedhor që të zgjidhim problemet që kemi. Një nga problemet e mëdha që kemi është fakti që “të fortët” që kontrollojnë zonën, bëhen deputetë e kryetarë bashkish. Partitë duhet të bëjnë lista të vogla, ku edhe kundërshtari të mund të vërë gishtin mbi atë që ke zgjedhur ti. Kjo është për të zbutur konfliktualitetin e madh që është krijuar te ne”, u shpreh Lubonja.
Më tej, analisti shtoi se opozita, por edhe shqiptarët, duhet t’i thonë Bundestagut gjerman dhe BE se problemi kryesor në Shqipëri është mosrespektimi i ligjit, ku kampion është vetë kryeministri Edi Rama.
“I duhet thënë Bundestagut dhe OSBE nga ne shqiptarët, opozita, shikoni se nuk është ky problemi ynë. Ata thonë kthehuni në normalitet, por opozita doli pikërisht se gjendja nuk është normale. Problemi numër një është respektimi i ligjeve, kjo është një çështje shumë komplekse, që ka të bëjë me moralin e klasës politike, edukatën. Një nga kërkesat është që të parët që duhet të respektojnë ligjet duhet të jenë politikanët. Ne kemi kryeministrin kampion për mos respektim të ligjit”, deklaroi ai.
Plani i PD për zgjidhjen e krizës, mendoni ju se mund të kalohet kriza me të?
Ideja ishte që lidhej me një propozim që është bërë nga OSBE për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe çfarë mendon opozita lidhur me këtë ndryshim, domethënë a mjafton apo jo ndryshimi i një Kodi Zgjedhor për të ndryshuar Shqipërinë, sipas opozitës. Unë mendoj se nuk mjafton Kodi Zgjedhor. Kishte disa argumente, që mendoj se ishin racionalë në atë që parashtronte opozita. Unë mendoj se kryesore është se Shqipëria nuk ka vuajtur nga ligje të këqija, por nga mos zbatimi i ligjit. Të mendosh se po bën një Kod Zgjedhor perfekt, që nuk ekziston, nuk mendon ta shpëtosh Shqipërinë nga kapja e krimit, duhet vullnet politik. Vullnet politik për të nxjerrë këtë organizatë kriminale dhe për të dënuar anëtarët e saj nuk ka dhe këtu është problemi. Propozimi i OSBE është qesharak, është njëlloj si një të sëmuri nga kanceri t’i thuash të pijë aspirinë. Thirrja për t’u ulur në tryezë me atë që opozita e ka quajtur bandë kriminale është nul. Të ulesh në tryezë si i barabartë, je i barabartë.
Opozita kërkon një format me pjesëmarrje ndërkombëtare dhe dy përfaqësues nga mazhoranca dhe opozita, si ju duket kjo?
Më duket si shprehje e një kontradiksioni të thellë që ekziston mes atyre që mendojnë se Shqipëria mund të rregullohet në rrugë institucionale dhe atyre që mendojnë se përmes rrugës institucionale, Parlamentit, policisë, SHIK, drejtësisë, të kapur nga organizata, është e pamundur të arrihet një rezultat pozitiv. Këtu jemi, hajde e gjeje rrugën e mesme. Ku do ta gjejmë zgjidhjen revolucioni, protestat permanente apo te kompromiset. Ky është thelbi i problemit që e mban Shqipërinë në këtë ngërç. Ka ndodhur ajo që thotë Makiaveli që “Princi i mirë e shikon rrezikun dhe të keqen, atëherë kur nuk e shikojnë të tjerët”. Kur vjen puna që e shikojnë të gjithë të keqen, siç po ndodh te ne tani, është shumë e vështirë të zgjidhet. Duhet ta njohim këtë situatë dhe pastaj të shohim për zgjidhjen. Jo të themi hajde ulemi në një tryezë, pastaj bëni si të doni.
Si e shikoni ju arritjen e një konsensusi për Reformën Zgjedhore, si e shikoni zgjidhjen?
Unë nuk shikoj zgjidhje të krizës përmes Reformës Zgjedhore. I duhet thënë Bundestagut dhe OSBE nga ne shqiptarët, opozita, shikoni se nuk është ky problemi ynë. Ata thonë kthehuni në normalitet, por opozita doli pikërisht se gjendja nuk është normale. Problemi numër një është respektimi i ligjeve, kjo është një çështje shumë komplekse, që ka të bëjë me moralin e klasës politike, edukatën. Një nga kërkesat është që të parët që duhet të respektojnë ligjet duhet të jenë politikanët. Ne kemi kryeministrin kampion për mos respektim të ligjit. Atëherë ç’kuptim ka të bëjmë një Reformë Zgjedhore, kur askush nuk ka vullnetin për ta respektuar.
A mendoni se një diskutim i gjerë për Reformën Zgjedhore do ishte i dobishëm dhe a nuk është kjo kontradiktore me kushtet e Bundestagut?
Një diskutim i përgjithshëm do të thotë të devijosh publikun dhe vëmendjen e tij nga problemi që ka ngritur deri sot opozita të një shteti të kapur nga krimi. Kapja e shtetit është problemi, armiku. Ky duhet të ishte fokusi dhe me ndërkombëtarët, por jam i sigurt që kjo punë nuk zgjidhet nga ndërkombëtarët. Opozita duhet të fokusohet këtu.