Të gjitha atentatet ndaj Ahmet Zogut

 

DOSSIER

Nga Safet Ramolli

Vlerësimet për A. Zogun, shtetar në zë në fillimvitet ‘ 20-të, Numri Një në vitet 1925-1939, por edhe në të pastajmen mjaft aktiv, janë të shumta, gjithsesi të dyzuara. Janë dhjetëra bashkëpunëtorë apo kundërshtarë të tij; disa personalitete të huaja, të fushës politike apo statiste; mjaft analistë politikanë apo biografë të mirëfilltë; shumica bashkëkohës dhe të tjerë më vonë, të cilët analizojnë dhe vlerësojnë këtë personalitet kaq shumë të përfolur të skenës problemore të politikës shqiptare. Në fundviti 1927, Viktor Emanueli që përgatitej për të zënë kolltukun mbretëror të Shqipërisë, e vlerëson pozitivisht politikanin e ri shqiptar, por e paragjykon origjinën e tij, prandaj edhe nuk ishte plotësisht i gatshëm për lidhjen e martesës të shqiptarit malësor “të edukuar“ me një princeshë të Shtëpisë së Savojës. Në karrierën politike u përfshi herët. Si një rast i rrallë jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë, kur ishte 24 vjeçar, kishte bërë emër për mirë në skenën politike shqiptare. Kur ishte 23 vjeçar, austriakët vlerësuan potencialin e tij si ushtarak, i akorduan gradën e lartë ushtarake, kolonel, e komanduan në krye të forcave shqiptare të rekrutuara për t’ u ballafaquar me forcat pushtuese italiane. Natyrshëm ky fakt na çon mendimin se, koloneli i ri ishte përzgjedhur si më i përshtatshmi për të përmbushur këtë detyrë mjaft të rëndësishme dhe delikate në shkallë kombëtare. Analistët, biografët dhe bashkëpunëtorët e etitetojnë si njeri të guximshëm, mjaft enigmatik, tërësisht të përshtatshëm për t’u integruar edhe në shoqëritë evropiane nga më të kulturuarat dhe më etiket e kohës.

Kabineti qeveritar pas Kongresit Kombëtar të Lushnjës në janar 1920 me S. Delvinën në krye, dhe ai që pasoi me Iljaz Vrionin, i besuan portofolin e Ministrit të Brendshëm, ndërsa në dhjetor 1921 edhe atë të Ministrit të Luftës, poste të cilat i hapën rrugën si dhe i dhanë përvojën e mjaftueshme, që pas një viti (më 16 dhjetor 1922 S.R ), të bëhet Kryeministër i Shqipërisë, si një rast krejt i rrallë ky, që një 27 vjeçari, t’i besohet përgjegjësia e drejtimit të një vendi me mjaft probleme. Këtë besim e justifikoi meritueshëm jo vetëm në opinionin shqiptar por edhe në atë evropian. Në fundjanari 1925, tashmë 30 vjeçar dhe me mjaft përvojë në fushën shtetare, iu besua nga Asambleja Kushtetuese detyra e Kryeministrit dhe e Presidentit të Republikës njëherësh, për një mandat 7 vjeçar. Pushtetin e dhënë dhe përgjegjësinë juridike e morale të ngarkuar, e ushtroi me autoritet, që herët bëhet bindës për popullin e vet dhe për drejtuesit e politikës evropiane. U bë i gjithëpushtetshëm duke vënë në kontroll të plotë të gjitha pushtetet, kishte të drejtë legjitime të shpërndante edhe Parlamentin, ishte Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, duke shënuar kështu arritje të dukshme në gjallërimin e jetës shqiptare. Më 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese u deklarua me shumicë absolute votash, për vendosjen e një regjimi monarkik në Shqipëri, për shpalljen e Shqipërisë Monarki Demokratike, por edhe i delegoi kurorën e fronit Mbretëror, Ahmet Zogut, me titullim Zogu i I, Mbret i Shqiptarëve. Ishte vetëm 33 vjeçar, moshë e re për detyrën e vështirë por edhe për përgjegjësinë që ngarkon një titull i tillë. Ky vendim mbase është bazuar në domosdoshmërinë, që një komunitet në kushtet e vendit tonë të kohës, e kishte emergjente centralizimin e pushtetit si dhe administrimin nga një dorë e fortë, por e bazuar në ligj. Karriera e A. Zogut në fushën ushtarake, politike e shtetare në përgjithësi ka qenë e suksesshme, vijëpërpjetë. Që në vitin 1922, Ai e kishte nën kontroll situatën thuajse në të gjithë territorin shqiptar. Realizoi në masë të mirë çarmatosjen e popullsisë, rezultat që u vlerësua nga politika evropiane, e cila e njihte mentalitetin shqiptar për të qënë i armatosur. Ky sukses mundësoi vendosjen e qetësisë dhe të rendit publik, përmes garantimit të të drejtave qytetare dhe të pronës me ligjin e shtetit por edhe me forcën imiponuese të Kanunit të Maleve. U ul në mënyrë të ndjeshme dhe të kapëshme numri i vrasjeve, si ato për shkak të zakonit barbar të gjakmarrjes, por edhe për shkak të formimit psikologjik si ballkanas. Mundi të sigurojë një ndihmë të mjaftueshme financiare nga jashtë, çka edhe u shoqërua me një farë zhvillimi ekonomik, problem mjaft i ndjeshëm ky për popullin. Në politikën e jashtme ndoqi atë të qëndrimit asnjëanës ndaj fqinjëve dhe të tjerëve më larg, duke u deklaruar njëherësh se nuk kishte asnjë preferencë për politikën dhe politikanët e fqinjit verior, i akuzuar shpesh herë sikur ishte vegël e tyre. Mori një sëri masash për emancipimin e shoqërisë shqiptare, e cila ishte një kërkesë thuajse emergjente për vendin (për herë të parë u legjitimua e drejta e divorcit; u vendos dhe u aplikua heqja dorë nga veshjet e rënda; u muarën masa konkrete për organizimin e jetës familjare shqiptare, ku të mbizotërojë respektimi i të drejtave të shtetasve në familje, natyrisht duke e ngërthyer këtë edhe me traditën shqiptare për një familje solide dhe ku të dëgjohet një zë. Këto dhe të tjera arritje konkrete, por edhe masa të planëzuara për t’u realizuar hap pas hapi, do të mundësonin kalimin disi kërcyes të Shqipërisë nga shek. XV në shek. XX. Ishte ndoshta një vrapim galopant, por që duhej bërë për të ecur në një trase me vendet e përparuara e të emancipuara Perëndimore të Evropës.

 Bernard J. Fisher, studjues i mirëfilltë i problematikës shqiptare midis dy luftrave botërore, në analizë të fundit konkludon, në një përfundim të pohuar edhe nga mjaft analistë dhe politikanë të tjerë të Evropës. Gati të gjithë bashkëkohësit, ata që e kanë njohur apo që kanë bashkëpunuar me A. Zogun, shprehen se Ai ishte një prej të pakëve politikanë shqiptarë, që jo vetëm mendonte sipas modeleve shtetërore moderne perëndimore, por edhe vepronte me kurajo për administrimin e komuntetit shqiptar sipas kësaj përvoje. Pohohet nga syresh se Ai ishte bashkëpunues dhe jo individualist në punët shtetërore, por ruante mendimin se Shqipëria kishte nevojë emergjente daljen me çdo kusht dhe për një kohë të shkurtër nga prapambetja jo vetëm ekonomike,por sidomos nga ajo kulturore, emancipuese etj. Pranohet nga shumë studjues dhe analistë si drejtues efektiv i Shtetit Shqiptar, se krijoi një farë stabiliteti politik ashtu sikurse bëri sa mundi për krijimin e ndjenjës kombëtare shqiptare dhe të dinjitetit të kombit. Me ligjet që adoptoi duke i marë nga vendet perëndimore si Franca, Anglia, Italia, Austria etj, me aplikimin e forcës detyruse të ligjit, jo vetëm që hodhi themelet e Shtetit të Centralizuar dhe Modern, por edhe ndikoi fuqishëm në zhveshjen e shqiptarëve nga mentaliteti i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes vetëgjyqësisë, duke i lënë rrugë veprimit të ligjit etj.

Ahmet Zogu: i rrezikuar vazhdimisht

 Por një Personalitet i tillë mjaft kompleks për nga mënyra e formimit dhe e hierarkisë që provoi dhe ushtroi; për nga forma e ndërtimit të marrëdhënieve të brëndëshme të komunitetit shqiptar ndër shekuj; për nga situata në të cilën e gjeti vendin e tij; për nga formimi inatçor i popullit të tij; për nga gjëndja mjaft e prapambetur në të gjitha fushat; për nga ndikimet e fqinjëve, të cilët në shumicë janë treguar të pabesë dhe shovenë ndaj vendit tonë; por edhe për nga qëndrimet jo aqë dashamirëse të Fuqive të Mëdha në mjaft raste, do ta bënin një figurë mjaft të përfolur në rrethet politike të vendit dhe jashtë tij; por edhe një objekt të preferuar për disa atentateve për t’i marrë jetën. Janë evidentuar nëntë raste të përgatitjes dhe kryerjes të atentateve kundër jetës së tij: në një rast ka marrë plagë në këmbë dhe në bark, në tjetrin u vra shoqëruesi i tij. I ndodhur në kushte mjaft të ndërlikuara, por edhe i prirur për ta nxjerrë vendin nga prapambetja shekullore, shpesh herë do t’i duhej që kundërshtarët politikë “t’i mposhtëtte“ përmes qëndrimeve burrërore dhe veprimeve të guximshme në të gjitha fushat. Analistët nënvizojnë cilësinë e karakterit të Tij – trimërinë, si një komponent bashkëshoqërues në veprimtarinë e tij si shtetar kryesor dhe si qytetar i thjeshtë. (Në një situatë kur gjithë qeveritarët ja mbathën nga kryeqyteti për t’i shpëtuar rrezikut nga brenda vendit, Ai qëndroi dhe mbrojti kryeqytetin duke qënë në krye të operacionit për të ruajtur rendin dhe qetësinë, çka edhe i dha të drejtën morale e qytetare që të fitonte aureolën e njeriut patriot dhe atdhedashës). Njëherësh mendoi masa të shumta, si dhe i zbatoi ato me krijimtari për të ngushtuar gamën e mundësive për t’u zbatuar veprime në linjën e atentateve. Jeta e Tij u vu shpesh herë në shënjestër, prandaj mori mjaft masa sigurie për vehte, familjen, por edhe të drejtuesve të lartë të Shtetit. Në shtator 1923, një grup ushtarakësh po përgatiste një grusht shteti, që do ta zbatonte në kremtimet e 28 Nëntorit, ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Plani përfshinte vrasjen e Kryeministrit shqiptar A. Zogu dhe vendosjen e një pushteti të tipit juntë ushtarake. Ky plan dashakeq dhe kriminal dështoi, duke nxjerrë njëherësh mësime, se e keqja mund të vijë edhe nga brenda.

 Kishte një përsosmëri të lakmueshme në organizimin e ruajtjes e të sigurimit kur shkonte nga Rezidenca në ndërtesën e Parlamentit. Edhe pse ishte rrugë e shkurtër, ajo sigurohej me masa të plota shërbimi. Disa prej tyre të bëjnë përshtypje të veçantë. Dy anët e rrugës boshatiseshin krejtësisht nga kalimtarët dhe banorët. Dyert dhe dritaret e shtëpive që ndodheshin në atë rrugë, mbylleshin sistematikisht. Në to lëviznin vetëm ushtarë, policë dhe agjentë. Pemët zhvisheshin nga gjethet për të krijuar fushëpamje më të mirë për mbajtjen nën kontroll të rrugës. Lëvizja e A. Zogut kryhej me synimin që të vinte në vendin e përcaktuar përpara orarit, ashtu si nëpër këto rrugë duhej të kishin lëvizur shumë të tjerë për tij, kishte preferencë që gjithë të pranishmit e planifikuar t’i gjente në mjedisin ku do të kryhej veprimtaria. Hollin e Selisë së Parlamentit e kalonte me hap të shpejtë i shoqëruar prej grupit të rojes personale.  Udhëtime të gjata ndërmerrte rrallë, me përjashtim të atyre për pushime verore në Rezidencën në Durrës. Më 1927, për shkak të zhvillimeve jo të mira një vit më parë, të cilat u ndëshkuan me raprezalje të rrepta, për të përmirësuar imazhin e tij personal dhe të Shtetit, ndërmori një udhëtim në Shkodër. Masat e sigurimit ishin të jashtëzakonëshme. E gjithë rruga Tiranë-Shkodër u patrullua me shumë kujdes nga forca të shumta të xhandarmërisë dhe të ushtrisë. Vetë Mbreti udhëtoi me makinë të blinduar. Lëvizja u krye me shpejtësi. Në vendet ku shkoi agjentët, policët dhe ushtarët ishin prezent në sasi të madhe. Më 1928 planifikoi të bëjë një vizitë në Korçë e Gjirokastër, por nuk e realizoi, sepse problemet e rendit e të qetësisë publike ishin mjaft të acaruara. Vetëm pas dhjetë vjetësh realizoi vizitën e vetme në qytetin e Vlorës dhe në vendlindje, në Mat.

 Veçanërisht ishte i kujdesshëm gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Edhe pse gjatë gjithë karrierës si drejtues i Shtetit kreu vetëm një të tillë, (të imponuar nga gjendja shëndetësore e rënduar); edhe pse u parashikuan dhe u zbatuan masa të plota sigurie, atentati kundër personit të tij, jo vetëm që nuk u parandalua, por as edhe nuk u shmang. Më 26 janar 1931, nëpërmjet portit të Durrësit, u nis për në Vjenë, për t’u diagnostifikuar dhe kuruar për një sëmundje të vjetër në stomak. Masat e sigurimit, si brenda edhe jashtë vendit, ishin të plota e të përpikta. Si zakonisht nuk i tregoi askujt, me përjashtim të rrethit të tij të ngushtë familjar e shoqëror, se po shikonte mundësinë e një udhëtimi në Vjenë. Parlamenti u vu në dijeni nga një grup deputetësh nën drejtimin e presidentit të Parlamentit për këtë event të veçantë, vetëm një natë përpara nisjes. Në Tiranë u përqëndruan mjaft forca ushtarake, si një forcë e gatëshme për të ndërhyrë në rast nevoje, apo në se shpërthente ndonjë trazirë politike. Udhëtimi për në Durrës, sipas një zakoni rutinë, filloi përpara kohës së planifikuar, i shoqëruar nga katër motrat, nga Këshilli i Ministrave, nga Presidenti i Parlamentit dhe disa shtetas që konsideroheshin pjesëtarë të elitës shqiptare. Populli i Durrësit e mori vesh të vërtetën vetëm kur kryqëzori italian “Quatro“ u largua prej portit. Gjatë udhëtimit për në Vjenë u shoqërua nga Abdurraham Krosi, një këshilltar personal tepër i besuar; nga mjeku personal J. Basho; nga dy rojet personale: major Llesh Topallaj dhe kapiten Çupi; nga Eqerem Libohova, me cilësinë e Ministrit të Oborrit, dhe nga Sokol Martini, një ndihmës i tij.

 Masa të plota sigurimi e ruajtjeje ishin parashikuar edhe në truallin austriak. Adjutanti i Mbretit, kolonel Serreqi, prej më se një jave ndodhej në Vjenë; shtypi nuk ishte informuar për shkaqet e udhëtimit, vendin ku do të shkonte dhe ku do të akomodohej. Ministri Fuqiplot austriak në Tiranë (shefi i trupit diplomatik S.R) kishte sugjeruar që, Zogu të vendosej në ndonjë vilë private ose në senatorium dhe jo në hotele luksoze, për të shmangur grumbullimin e njerëzve, sidomos të emigracionit shqiptar që ishte i shumtë në numër. Policia vjeneze mbajti nën kontroll disa shqiptarë të njohur si antizogistë dhe me prirje agresive terroriste. Njëherësh, ministri fuqiplot i Jugosllavisë dhe ai i Gjermanisë në kryeqytetin shqiptar, informuan si në Tiranë ashtu edhe në Berlin se, jeta e Mbretit ishte në rrezik, informacion që rezultoi mjaft i vërtetë. Vetë A. Zogu, në kundërshtim me sugjerimet e bëra, u vendos në hotel “Imperial”, njëri prej më luksozëve në Vjenë; bënte lëvizje të ndryshme pa njoftuar se kur do të dilte e ku do të shkonte, ashtu sikurse nga salla e operas doli jo nga hyrja kryesore por nga një dalje anësore dhe para kohe. Vetëm këto mangësi, ndoshta do të mjaftonin që dy ish-oficerët shqiptarë, Ndok Gjeloshi dhe Azis Çami, të realizonin atentatin duke vrarë shoqëruesin e Tij, major Llesh Topallaj, i cili me trupin e tij mbuloi trupin e Mbretit Zog, për ta mbrojtur atë me mjaft siguri nga të shtimet e dyta.

 Edhe pushimet e verës në Durrës kryheshin në kushte të plota të një sigurie të lartë. Rrugëkalimi vrojtohej e kontrollohej nga shumë agjentë të shërbimit sekret; në rajonin e pushimit angazhohej një kontingjent i madh trupash; më se 600 trupa vendoseshin pranë Rezidencës së Verës, e cila ruhej me një kontingjent të veçantë; ishte parashikuar edhe rreziku që mund të vinte nga ndonjë sulm i suksesshëm nga toka, prandaj, pranë rezidencës të ndërtuar mbi sipërfaqen e ujit, ishte e pranishme gjithmonë e ankoruar një anije e vogël që shërbente si roje, por edhe që të realizonte tërheqjen nëpërmjet detit.  Më 20 mars 1931, Mbreti do të kthehej nga Vjena pas atij udhëtimi me probleme të pakëndshme si për shëndetin edhe për sigurimin e jetës. Megjithatë masat e sigurimit ishin të plota. Përgjatë rrugëkalimit Durrës–Tiranë, patrullonin dy batalione këmbësorie të veshur me uniformën e xhandarmërisë, të cilët kontrollonin gjithçka dhe me imtësi. Për të ndikuar pozitivisht psikologjikisht tek populli, në aparencë gjithçka tregonte sikur nuk kishte asnjë problem dhe sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Ai kreu një gjest fisnik dhe etik, duke kaluar në revistë nderi mijëra të rinj paraushtarakë, natyrisht të ardhur në shenjë nderimi dhe respekti për Mbretin e tyre.  Në periudhën e mëvonshme, duket se u druhet më pak plumbave vrastarë dhe fenomenit të frikës në tërësi, por gjithësesi kujdesin për ruajtje, përveç atyre që e kishin detyrim juridik e moral, e kishte çështje parësore edhe vetë. Nartyrisht që tashmë edhe situata në vend ka evoluar për më mirë në pikpamje të rendit e të qetësisë publike, kriminaliteti në vend ka shënuar ulje të ndjeshme, shoqëria shqiptare ndihej më e garantuar dhe më e qetë në marrëdhëniet mes vetes dhe shtetin. Më 27 prill 1938, Mbreti do të përjetonte një event të veçantë në jetën personale, familjare por edhe kombëtare. Pas shumë dilemash vendosi që të martohej. Tashmë, në pikpamje të sigurimit dhe ruajtjes së jetës së tij, për shkak të forcës së zakonit të pushtetit të padiskutueshëm të Kanunit, do të kishte disi më pak probleme, pasi prania e bashkëshortes në veprimtaritë ceremoniale apo në udhëtimet e ndryshme, do të lehtësonte punën e strukturave të ngarkuara për garantimin e jetës së Mbretit. Githnjë e më shumë Ai është i gatëshëm të ekspozohet përpara popullit të vet në mjaft mjedise të ndryshme. Me rastin e martesës doli para popullit të Tiranës, (natyrisht me masa të plota mbrojtjeje), në rrugët e kryeqytetit me makinë të hapur. Edhe rruga që të çonte në Durrës nuk ruhej më si zakonisht, ashtu si në disa terrene çiftit mbretëror iu rezervua një pritje mirëseardhjeje nga populli. Kemi të bëjmë me një gjëndje sigurie e qetësie publike mjaft të stabilizuar jo vetëm në territoret e Shqipërisë së Mesme por edhe në krejt territorin shqiptar. Në të pastajmen masat e sigurimit dhe të ruajtjes do të jenë më të plota, dhe gjithësesi më efikase, sepse stabilizimi i rendit dhe i qetësisë publike brenda vendit, por edhe çarmatosja e popullsisë në përmasa të konsiderueshme, kishte ulur intensitetin e veprimtarisë keqbërëse ndaj Mbretit dhe shtetasve në tërësi, në mënyrë të ndjeshme. Megjithatë, asnjëherë dhe për asnjë element të sigurisë e të ruajtjes nuk e pakësoi numrin e rojeve personale dhe as e nënvlerësoi atë si fenomen. Edhe kur iku jashtë shtetit, pas një rezistence, e cila rezultoi e pasuksesëshme përpara një fuqie ushtarake sikurse ishte Italia, në agimin e datës 7 prill 1939, do të sigurohej nga një suitë e madhe shoqëruesish; karvani mbretëror më 8 prill në Follorinë përbëhej nga 113 vetë; ndërsa më 27 qershor të po këtij viti, kur shkonte nga Franca për në Angli, shoqërohej me 34 vetë, nga të cilët 6 figuronin me identitetin e ordinancës së Naltmadhërisë së Tij, por nga verifikimet e mëvonëshme të strukturave të specializuara perëndimore, u pohua se ata ishin vetëm roje personale, malësorë nga fiset shqiptare, por edhe të armatosur. Ishte legjitime që një Mbret i përzënë dhunshëm nga vendi i vet, të kishte një bërthamë bodigarde personale. Në Angli autoritetet shtetare i kërkuan fillimisht që Ai të largohej, por gjithësesi perëndimi demokratik kishte kohë që kishte hyrë në rrugën e respektimit të të drejtave njerëzore, prandaj edhe u lejua, por me një kusht që për sigurimin e jetës së tij dhe të familjes të mobilizonte njerëzit e tij. Në se do të gjykojmë për shërbimin e ruajtjes e të sigurimit, duhet ta pranojmë pa asnjë ekuivok, se kemi të bëjmë me një shërbim të kryer me korrektësi, me profesionalizëm, besë e burrëri. Mund të jetë një rast i rrallë në botë, që bodigarda personale të tregohet aqë e vendosur dhe e vetësakrifikuar deri në vetmohim, për të garantuar jetën e personalitetit që shoqëron. Por edhe vetë Mbreti këtë strukturë, e ka vlerësuar, e ka çmuar dhe e ka trajtuar në mënyrë krejt të diferencuar nga të tjerat. Efektivin e bazës e përzgjidhte kryesisht nga radhët e malësorëve, të cilët për shkak të formimit psikologjik e shpirtëror, por edhe të forcës ndikuese të moralit dhe ligjit kanunor, jo vetëm që e kanë për nder të shërbejnë pranë drejtuesve, titullarëve të të gjitha fushave të veprimtarisë shoqërore, por edhe ndihen krejtësisht të obliguar që këtë detyrim ta konsiderojnë të shenjtë, dhe për rrjedhojë edhe të zbatueshëm me çdo kusht e sakrificë. Kuadrin komandues e përzgjidhte nga më të besuarit, ashtu sikurse për ata ruante konsideratën më të veçantë edhe kur i thuhej apo i rekomandohej se ata bëheshin pengesë në ngjitjen e shkallës së hierakisë apo në justifikimin e mbështetjes totale nga populli i vet. Analistët vërejnë gati në unison se, e meta më serioze e A. Zogut ishte mungesa e dëshirës për të gjykuar vartësit si dhe mosbraktisja e mbështetësve besnikë. Në një rast M. Bajraktari e ballafaqoi me një oficer të Gardës, me pretendimin se ai kishte dashur të bënte atentat kundër Mbretit, por Zogu, në të kundërtën liroi oficerin, duk
e u “justifikuar“ përpara M. Bajraktarit, se oficeri nuk kishte ndërmend t’i bënte asgjë të keqe. Ky qëndrim “vriste“ njëherësh dy zogj, ashtu sikurse autoriteti i Tij në popull merrte përmasa më të gjera dhe humane. Në një rast tjetër, gati analog me të mësipërmin, Ai do të vepronte përsëri me përzemërsi. Pati të dhëna të mjaftueshme dhe kompromentuese për një zyrtar të lartë shqiptar, i cili i kishte ofruar kryekuzhinierit të Mbretëreshës me origjinë hungareze, një sasi të të hollash, me synim që ai të dëmtonte shëndetin e çiftit mbretëror përmes ushqimit. Por Mbreti “i zgjuar nga natyra”, por edhe i pajosur me veprimtaritë keqdashëse në kulisat e politikës evropiane, në vend të hakmarrjes direkte, me dinakëri e fton zyrtarin, që të bujtë në një darkë në shtëpi. Sapo Mbretëresha e porositur më parë, filloi të hajë ushqimin, ankon për dhembje. Mysafiri, i shkujdesur, shtroi afërsisht pyetjen: “ç’ka ngrënë?”, një pyetje e pamenduar mirë, që e ekspozoi për qëllimin e tij dashakeq. Gjithësesi, një mësim mjaft i mirë për dashakeqët!!

 Ish Ministri i Brendëshëm deri më 1938, Musa Juka, do të vlerësojë edhe: “Mbreti Shpëtimtar dijti të tregohet i butë, kur qe rasa që të zbuteshin shqisje të ashpra, dhe dijti të tregojë grushtin, atje ku e pa se qëndronte kryelartësia e rrezikshme”.  Mbreti Shqiptar në të gjithë veprimtarinë e tij ka reflektuar përkujdesje dhe vlerësim pozitiv për shërbimin e ruajtjes e të sigurimit. Për t’i organizuar, për t’i aftësuar, për t’i përgatitur dhe drejtuar në veprime me efektivitet, Ai mori edhe instruktorë të mirëfilltë dhe të aftë ushtarakisht nga Italia, Anglia, Austria, të cilët i mbajti deri në vitin 1938, kur e gjykoi se kishte krijuar një bërthamë të mirë të efektivit që garantonte jetë, rendin dhe qetësinë publike. Nëse për nëpunësit e zakonëshëm trajtimi financiar mujor mund të bëhej edhe me bllokime disa mujore, oficerët i muarën pagat rregullisht edhe atëhere kur mund të mos i merrnin deputetët e Parlamentit; për ushtarakët e dalluar në kryerjen e detyrave dhe për të rënët në krye të detyrës, aplikonte stimulime materiale, deri edhe në ngritje përmendore, sikurse ishte rasti për shoqëruesin e Tij personal, Ll. Topallaj, të cilit i ngriti përmendore në kryeqytetin shqiptar në shenjë mirënjohjeje për veprën trimërore por sidomos morale dhe humane që ai kreu.  Jeta e Mbretit të Shqiptarëve, për mjaft shkaqe e arsye, ka qenë e kërcënuar seriozisht dhe në vijimësi, por nga ana tjetër masat për ruajtjen dhe sigurimin e tij kanë qenë të nivelit bashkëkohor evropian, të cilat mund të jenë objekt referimi më së shumti për studim, se sa për përvojë. 

SHKARKO APP