“Të largojmë Ramën, jo të rinjtë”, Këlliçi: 100% tarifë studimi falas për studentët nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë
“Të largojmë Edi Ramën nga pushteti, jo të rinjtë nga Shqipëria”.
Kështu shprehet kryetari i Forumit Rinor të PD, Belind Këlliçi në një postim të tijin në Facebook.
Sipas Këlliçit, Qeveria rriti taksat, çmimin e energjisë, tarifat e studimit, nuk hapi 300 mijë vende pune por detyroi afro 500 mijë shqiptarë të mërgojnë, mes tyre 140 mijë të rinj.
“Ne të mbulojmë 100% tarifat e studimit të studentëve nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj dhe 50% tarifat e atyre me të ardhura mbi 640 mijë lekë.
“Të largojmë Ramën, jo të rinjtë! Të bashkohemi kundër largimit të rinisë dhe plakjes së vendit! Me të rinjtë, për të rinjtë, për Shqipërinë!”, shkruan ndër të tjera kryetari i të rinjve demokratë.
Postimi i plotë i Belind Këlliçit:
Përse Shqipëria, me një pozitë gjeografike të lakmueshme, e bekuar nga natyra me dy dete, me një nëntokë të pasur në minerale, me burime të panumërta ujore, me klimë të favorshme e me popullsi me mesatare moshe të re, jeton në varfëri?
Studentët e Fakultetit të Ekonomisë e kanë përgjigjen:
Akumulimi i pushtetit ekonomik dhe politik në duart e një grushti individësh, përfitues të çdo konçensioni, kontrate, leje, liçence, tenderi. Me paratë e tyre të fituara pa konkurrencë, diktojnë ligje, kontrollojnë kuvendin, qeverinë dhe mediat.
Pas 7 vitesh dështime, qeveria Rama mund të ofrojë vetëm dështime të tjera.
Përmes ligjit tonë anti-mafia, qeveria Basha e pas 25 prillit, do të kalojë në sitë të gjitha kontratat koncesionare dhe PPP-të. Synimi i ligjit anti-mafia është që këta njerëz që janë të përfshirë në kontrata korruptive, nuk do të mund të gëzojnë të ardhurat e përfituara padrejtësisht dhe këto të ardhura do të rikuperohen dhe do t’u kthehen qytetarëve.
Qeveria rriti taksat, çmimin e energjisë, tarifat e studimit, nuk hapi 300 mijë vende pune por detyroi afro 500 mijë shqiptarë të mërgojnë, mes tyre 140 mijë të rinj.
Studentët vazhdojnë të paguajnë të njëjtat tarifa, të cilave u shtohen edhe kostot e mësimit online.
Ne do ta anulojmë ligjin korruptiv për arsimin e lartë dhe do të rikthejmë autonominë e universiteteve.
Ne do të vendosim taksën e sheshtë 9%, për të thithur investitorë të huaj që hapin vende pune dhe për t’i dhënë mundësi biznesit të punojë dhe të gjenerojë të ardhura për të rritur pagat e punonjësve.
Ne do të mbështesim me politika fiskale dhe stimulojmë sipërmarrjet e të rinjve dhe bizneseve që punësojnë të rinjtë.
Ne do të mbulojmë 100% tarifat e studimit të studentëve nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj dhe 50% tarifat e atyre me të ardhura mbi 640 mijë lekë.
Të largojmë Ramën, jo të rinjtë! Të bashkohemi kundër largimit të rinisë dhe plakjes së vendit! Me të rinjtë, për të rinjtë, për Shqipërinë!