Të lidhur me zinxhirë, banorët e Astirit protestojnë para Gjykatës

Banorët e Unazës së Re kanë dalë sot në protestë përpara Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku pritet të jepet masa e sigurisë për 3 nga banorët e arrestuar në protestën e disa javëve më parë, Skënder Doda, Ilir Katiraj dhe Gëzim Shehu.

Të lidhur me zinxhirë në duar dhe gojën e mbyllur, banorët kanë vendosur të shprehin simbolikisht para Gjykatës protestën e tyre të heshtur pasi sipas tyre ndalimet janë bërë në kundërshtim me ligjin.

I pranishëm në protestën e qytetarëve ka qenë edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu.

Ai tha se e drejta për të protestuar e qytetarëve është e garantuar në Kushtetutë dhe në Konventën e të Drejtave të Njeriut. Ata kanë lajmëruar policinë për tubimin e tyre shtoi ai dhe ndalimet që janë bërë janë në kundërshtim me ligjin.

Në lidhje me ndryshimet e reja në Kodin Penal ku ndalohet bllokimi i rrugëve, Balliu tha se në çdo protestë bllokohen rrugët dhe se këto ndryshime nuk kanë lidhje me protestën e qytetarëve. Ai bëri përgjegjës kryeministrin Rama për arrestimet e banorëve të Unazës së Re duke thënë se drejtësia është e kapur prej tij.

“Këta banorë janë arrestuar në një protestë legjitime e cila ka qenë e njoftuar 2 herë. Ne kemi paraqitur provat se kur është njoftuar policia e shtetit, të vetmen gjë që duhet të bësh te policia e shtetit është njoftimi, nuk merret leje te policia e shtetit dhe unë ju ftoj të nxirrni ligjin e protestave. Arrestimi i tyre është në shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Kodi Penal të cili i referohen gjykatat e korruptuara të Edi Ramës nuk ka lidhje me protestat. Në çdo protestë bllokohet rruga edhe në protestat përpara kryeministrisë bllokohet rruga. Në çdo protestë në Shqipëri, në Ballkan, në Europë, në gjithë botën.

Banorët kanë një vit që protestojnë, dhe ky monstër nuk do të ulet e të bisedojë me ta. Kush është ky?!  As Rama dhe as Veliaj. Është koha të kemi një qeveri serioze dhe të heqim një qeveri karagjoze, qeveri karagjoze të Rilindjes. Tek banorët e Unazës Edi Rama ka një interes ekonomik personal, për të vjedhur. Paratë që ai ka vjedhur do të pastrohen tek kullat që do të ngrihen tek Unaza. Ejani t’jua tregojmë dy kullat e para tek Unaza. Ejani t’jua tregojmë, aty do pastrohen paratë e krimit dhe vjedhjes. Si ka mundësi që këta qindra banorë arrestohen, po Saimir Tahiri që nuk ka bërë as 2 minuta burg?! Vetëm se ka fotot dhe videot e Olsi Ramës që qarkullonte në Xibrakë. Nuk ka drejtësi, gjykatat dhe prokuroritë kanë vdekur.” tha Balliu

 

SHKARKO APP