Të mbyllen fasoneritë/Vokshi: Virusi shpërthen në mënyrë dramatike
Këtë të hënë u rihapën pas 40 ditësh, puna në disa sektore të ekonomisë. Por jo të gjithë e përkrahin këtë vendim të qeverisë, pasi puna në fasoneritë sipas ish-deputetes së PD-së, Albana Vokshi, bën që virusi të shpërthejë në mënyrë dramatike. “Dy ditët e fundit janë disa vatra të reja të hapura, të cilat janë shumë të rrezikshme pasi janë në fasoneri. Kemi kërkuar me ngulm mbylljen e fasonerive. Shumë qytete janë bërë vatra, të cilat mund të shpërthejnë në mënyrë dramatike. Kam marrë informacione se janë 27 fasoneri në Krujë, nga të cilat vetëm 7 janë mbyllur. Mbi 5 mijë gra dhe vajza punojnë në kushte të papërshtatshme. Rama ka para mjaftueshëm”.
Për A2 Cnn, Vokshi tha se Rama dhe qeveria i kanë konsideruar të gjithë tenderët, prokurimet, si kontrata sekrete, për të fshehur çmimet skandaloze që pajisjet mjekësore janë blerë. “PD ka ngritur shqetësimin e madh se Rama dhe qeveria i kanë konsideruar të gjithë tenderët si kontrata sekrete. Menjëherë sapo jemi vënë në dijeni të këtij fakti, jemi vënë në lëvizje. Këto kontrata nuk kanë pse të konsiderohen si sekrete. Nëse blihet një maskë, çfarë sekreti shtetëror është kjo? Janë bërë 4 tenderë me urgjencë të madhe. PD i kishte kërkuar qeverisë që në fillim të shkurtit të blejë mjete për këtë situatë. Në një nga tenderët, ata donin të fshihnin çmimet skandaloze të blerjes së këtyre pajisjeve. Nëse unë blej një maskë 4 euro, si mund ta blejë qeveria 8 euro. Si mundet një shtet i tërë ta blejë me një çmim të tillë?”.
Më tej, Vokshi paralajmëroi se do të ketë edhe në ditët në vijim denoncime të tjera me fakte skandaloze siç i cilësoi ajo. “Kemi denoncuar vetëm një nga 4 kontrata deri tani, por do të ketë edhe në ditët në vijim denoncime në vijim, aktualisht po mbledhim informacionin e plotë. Korrupsion skandaloz”. Ish-deputetja e PD bëri thirrje edhe njëherë tjetër për shtimin e numrit të testimeve.