Të mbyllet zyra e PS në Delvinë, Zhupa: 50 metra larg KZAZ-së

Deputetja e PD, Ina Zhupa ka denoncuar PS për shkelje të Kodit Zgjedhor në qytetin e Delvinës. Sipas Zhupës, PS ka hapur një zyrë elektorale vetëm 50 metra larg Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ), ndërkohë që ligji kërkon një distancë minimale prej 300 metrash nga KZAZ dhe qendrat e votimit. ​

“Kjo kërkesë ka të bëjë me konstatimin e shkeljes së rregullave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për zgjedhjet nga subjekti zgjedhor, Partia Socialiste. Konkretisht, kemi konstatuar se në qytetin e Delvinës është hapur një Zyrë Zgjedhore të PS-së, në një distancë shumë të afërt me KZAZ-në e Delvinës, e cila ndodhet tek kinoteatri i qytetit.

Aty ku janë parashikuar po ashtu edhe Qendra Votimi për Zgjedhjet e 11 Majit. Sipas informacioneve nga terreni, informohemi se kjo zyrë përdoret nga kandidatët e listës shumëemërore të PS-së, Ardit Bido dhe Ina Malko. Bashkëlidhur keni edhe pamje të denoncimit në fjalë.

Hapja e Zyrës Zgjedhore në një distancë nën 300 metra nga QV apo KZAZ ndalohet në kuadrin ligjor në fuqi, për shkak të mosndikimit tek zgjedhësit. Në këto kushte, ne si subjekt zgjedhor Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, po i drejtohemi KQZ-së që të konstatojë këtë fakt dhe të merren urgjentisht masat e duhura administrative dhe ligjore, për mbylljen e menjëhershme të kësaj zyre elektorale të Partisë Socialiste”, thuhet në dokument.

SHKARKO APP