Të moshuarit suprizojnë stafin e qendrës ”Shtëpia e Përbashkët”
Në Ditën e Punonjësve të Kujdesit ndaj të Moshuarve, erdhi sot surpriza më e bukur për punonjëset e Qendrës së të Moshuarve “Shtëpia e Përbashkët” në Berat. Të moshuarit kishin menduar që, pikërisht në këtë ditë të veçantë për të gjithë ata që u shërbejnë prej vitesh me ushqim e ilaçe, ti surprizonin me buqeta me lule.
Kjo ka ndodhur gjatë orarit të shpërndarjes së vaktit ushqimor të drekës, ku çdo pensionist u dhuroi buqeta me lule punonjëseve të kësaj qendre, duke i falenderuar ato për kujdesin që kanë treguar ndër vite për ta. Vetë të moshuarit shprehën vlerësim dhe mirënjohje të veçantë për të gjithë stafin e Qendrës së të Moshuarve, që kujdeset çdo ditë për shëndetin dhe ushqyerjen e tyre sistematike.
Në Qendrën Sociale të të moshuarve në qytetin e Beratit, janë të akomoduar 60 të moshuar, të cilët, që prej 5-vjetësh kur edhe u hap kjo qendër, ishin të akomoduar aty dhe jo vetëm që u shërbeheshin 3 vaktet e plota ushqimore por edhe trajtoheshin me medikamente e vizita shëndetësore falas nga stafi mjekësor i qendrës.