“Të Paekspozuarit” , Frika nga kriza, Goro: Emigrantët shqiptarë po tërheqin depozitat

 

“Utopia në horizont” është emisioni i rradhës i “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit, me fokus krizën në Greqi.

Në panel për të diskutuar mbi atë që po ndodh në vendin fqinj dhe ndikimet në Shqipëri janë Selami Xhepa, ekspert për ekonominë, Spartak Ngjela, avokat, Sokol Nako, jurist dhe Arlind Qori, aktivist i Organizatës Politike.

Në pjesën e parë të emisionit është trasmetuar një dokumentar mbi ngjarjet në Greqi dhe sesi po i përjeton ato populli grek.

Më pas ka vijuar biseda në studio me të ftuarit. Ndërkohë që në lidhje nga Athina do të jetë gazetari Robert Goro.

Xhepa: Situata në Greqi, dramë 5-6 vjeçare që rrezikon të kthehet në tragjedi

Eksperti i ekonomisë, Xhepa ka shpjeguar fazat nëpër të cilat ka kaluar ekonomia greke derisa ka arritur në këtë pikë.

“Është një dramë që vijon prej 5-6 vitesh në Greqi dhe që rrezikon të kthehet në tragjedi në fundjavë nëse situata përshkallëzohet. Gjithçka nis me fundin e Luftës së Dytë Botërore. Modeli që u ngrit nga Greqia që në atë periudhë ishte një ekonomi konsumi. Struktura e ekonomisë greke në atë periudhë i ngjan ekonomisë sonë sot, ku gjysma e popullsisë jetonte në fshat dhe gjysma tjetër jetonte me shërbime.

Ndërkohë që kurrë nuk u krijuan manifaktrat. Kjo vijoi deri në ’74 me ardhjen e Juntës ushtarake, që tentoi të krijonte një ekuilibër buxhetor, ku të prodhohej dhe të konsumohej. Pas kësja operiudhe dhe me ardhjen e demokracisë në vitet ’80 pati rritje të shpenzimeve sociale. Kemi një program tipik socialist në atë periudhë, ku shteti duhet të ndërhyrnte për të zgjidhur problemet e papunësisë. Në atë periudhë, shteti grek jetonte me paratë e emigracionit, si ne sot.

Në momentin që Greqia ka hyrë në BE nuk është se lulëzoi. Mori shumë subvencione nga BE, por nëqoftëse do të shohim se çfarë prodhonte ekonomia greke, pati një rritje dramatike të shpenzimeve për të mbështetur shtresat në nevojë dhe ushtrinë. Ishte vendi i dytë i NATO-s për shpenzimet në raport me GDP në lidhje me shpenzimet për ushtrinë”, ka shpjeguar Xhepa.

Nako: Modeli i Greqisë ka qenë klientelist

“Modeli i Greqisë ka qenë klientelist. Në 2001 Greqia në Eurozonë. Nëse nuk do të hynte, disa nga këto efekte do të ishin më të zbutura, pasi zhvlerësimi i monedhës do ta mbronte pjesën tjetër të Eurozonës dhe do ta bënte përgjigjen ndaj krizës që do të krijohej shumë më të shpejtë dhe më të menaxhueshme. Sot ata nuk e kanë mekanizmin e zhvlerësimit të monedhës se nuk kontrollohet prej tyre dhe gjithçka varet nga faktorët e brendshëm të ekonomi”, ka shpjeguar Nako.

Ndërkohë gazetari Goro ka raportuar nga Athina për situatën në Greqi.

“Vazhdon pasiguria e madhe. Referendumi ka futur një përçarje të madhe mes qytetarëve grekë dhe ky është çmimi më i madh që do të paguajë Greqia pavarësisht rezultatit të referendumit. Ajo që është shqetësuese, është angazhimi i qeverisë greke për të mbrojtur jo në referendum. Po përdoret gjithë struktura qeveritare në favor të qëndrimit të Syriza-s në referendum”, ka deklaruar Goro.

Goro: Emigrantët shqiptarë të frikësuar, një pjesë kanë tërhequr depozitat

Ai ka shpjeguar se në Greqi vijojnë manifestimet.

“Ajo që presin të gjithë me zemër të ngrirë është rezultati i referendumit. Një sondazh i fundit ka treguar se do të dominojë përgjigjia po për Greqinë në zonën e Euros dhe BE-së”, ka thënë Goro.

I pyetur nga moderatori Rakipi për depozitat e emigrantëve shqiptarë në banka, gazetari Goro shpjegoi:

“Një pjesë e shqiptarëve i kanë tërhequr paratë. Ndërsa një pjesë e tyre, të frikësuar se mos situata përshkallëzohet pas referendumit, po i dërgojnë fëmijët në Shqipëri. Të gjithë skenarët janë të mundshëm, por mendohet se do të dominojnë skenarët pozitivë. Edhe në rast se referendumi do të thotë jo, ajo që do të ndodhë është një zgjatje e krizës”, ka shpjeguar Goro.

Për avokat Ngjelën kriza në Greqi është e trefishtë.

“Krizë e socializmit, e kapitalit dhe shtetit. Kriza e socializmit është për shkak të shpenzimeve për arsye sociale që bën tendenca socialiste atje. Kriza e kapitalit që është në treg, ku mungoi prodhimi industrial dhe e treta është kriza e shtetit, që konsiston te evazioni fiskal dhe korrupsioni. Nëse do të ishte njëra nga këto, kriza do të ishte më e lehtë, të treja bashkë të mbysin”, ka deklaruar Ngjela.

‘Edhe kriza jonë këtu do të konsistojë, se ne me gjithë paratë që kaluan këtu nuk arritëm të krijojmë prodhim. Edhe ne këtu do të shkojmë se nuk kemi prodhim industrial”, ka thënë Ngjela.

Xhepa: Kriza ekonomike, përgjegjësi e vetë Greqisë

“Përgjegjësia qëndron brenda vendit. Ata kanë zgjedhur në mënyrë demokratike dhe ky ka qenë vullneti i popullit. Të fajësosh jashtë vendit për diçka që ka ndodhur brenda vendit nuk më duket logjike. Greqia bën pjesë në vendet me të ardhura të larta. Europës nuk i ka interesuar që Greqia të ishte në Eurozonë. U pranua se u zotua se do të ndërmerrte reforma. Në fakt u arrit nëpërmjet disa manipulimeve me bankat dhe kjo bëri që Greqia të futej në Euro”, shpjegoi Xhepa.

Përgjegjësitë e Trojkës, Nako: Po përpiqet të zbusë disbalancat e borxhit grek

Gazetari Rakipi ka pyetur të ftuarit në panel për përgjegjësitë e Trojkës Europiane.

“Sot jemi në kushte emergjente, ku borxhi nga sektori privat u mor nga sektori publik. BE ka hyrë në një periudhë afatmesme për të zbutur disbalancat të krijuara nga borxhi grek, derisa sa financat greke të jenë në gjendje të pavarur të operojë në kushtet e tregut. Janë masa të përkohshme”, ka deklaruar Nako.

Ndërsa avokat Ngjela ka shpjeguar se në gjendje të tillë kanë qenë edhe shumë vende të tjera europiane.

“Janë të gjitha në krizë, me përjashtim të Gjemanisë, Anglisë dhe vendeve nordike. Kjo është krizë e sistemit. Shtetet e pasura me ato të varfra bënë një union, ku janë të gjithë të barabartë. Ky union nuk është federatë. Unioni i tyre ishte i çalë”, ka thënë Ngjela.

Qori: Kushtet e Trojkës të rënda, borxhin nga 120% ua çoi në 180%

“Asnjë bashkim monetar nuk mund të ekzistojë nëse nuk ka politikë tëpërbashkët. Nese Greqia do të kishte një monedhë të saj, do ta zhvlerësonte për të dalë nga kriza. Nuk e ka. Ndaj në kushtet e një monedhe të përbashkët pret ndihmë nga një fond i përbashkët”, ka shpjeguar Xhepa.

“Financimi i BE shkon për riskedulimin e borxhit të Greqisë. Programet e BE shkon në miliarda euro vetëm për Greqinë që të mbyllë gropën që ka për të mbuluar investimet publike”, ka thënë Nako.

Ai ka shpjeguar se Trojka nuk ka lidhje me prodhimin e një vendi dhe as me industrializmin.

“Qeveria e Syriza-s kërkon të negociojë disa aspekte që kanë të bëjnë me moshën e pensionit, me TVSH-në dhe shpenzimet për ushtrinë. Përsa kohë po kërkohet që të mos preken depozitat dhe shtresat e varfra të Greqisë, të ketë një administrim që të kthejë në prodhimtari. Një nga përplasjet e Syriza-s me Trojkën ka qenë rishikimi i numrit të administratës greke”, ka thënë Nako.

“Kushtet e Trojkës janë shumë të rënda. Borxhi ka qenë 120%, por si rezultat i programit të Trojkës borxhi ka vajtur 180%” është shprehur Qori.

“Nuk ka asnjë zgjidhje që propozon Greqia dhe të mos varet nga qytetarët europianë. Vende të BE-së si Rumania dhe Bullgaria kanë shtresat në nevojë më të varfra se në Greqi sot dhe u kërkohet sot të japin para për Greqinë. Ato vende e kanë bërë”, ka thënë Nako.

“Më shumë në rrezik është borxhdhënësi sesa borxhmarrësi. Ata kanë hallin e tyre. Janë të dy palët në rrezik. Nuk mund të rrisë rrezikun tim që të të shpëtoj ty. Nuk shpëtohet nga rreziku me lëvizje popullore. Financa sot është shkencë”, ka thënë avokat Ngjela.

Gazetari rakipi ka pyetur ekspertin Xhepa për pasojat e daljes së Greqisë nga Eurozona.

“Gjasat janë që Greqia të dalë nga Eurozona. Do të varet nga referendumi. Qytetarët grekë janë që Greqia të qëndrojë në euro. BE e ka bërë të qartë që votimi është votë për të qëndruar në Euro apo jo. Nëqoftëse do të kthehet te dhrahmia, unë mendoj se do të jetë dramatike për qytetarët. Dhrahmia do të zhvlerësohet dhe kjo do të ketë kosto për kursimtarët dhe depozituesit. Nëse zhvlerësohet 50%, po aq zhvlerësohen edhe depozitat”, ka shpjeguar Xhepa.

“Nuk ka zgjidhje të thjeshtë. Të qëndrosh në euro është vështirë, të dalësh gjithashtu”, deklaroi Qori.

“Qeveria e Syriza-s nëse kishte program kundër autoritetit, nuk kishte pse të ulej në bisedime. I takon Tsipras të përkthejë vullnetin e popullit të tij”, ka thënë Nako.

“Problemi është shumë i thjeshtë. Qeveria greke nuk njeh sistemin dhe është jashtë sistemit. Ia lë popullit në derë me referendum për të qëndruar në pushtet”, ka deklaruar Ngjela.

Xhepa: Dalja e Greqisë nga euro nuk falimenton monedhën

Ekspertët kanë shpjeguar efektet e skenarit të daljes së Greqisë nga Eurozona.

“Dalja e Greqisë nga Euro nuk e falimenton monedhën”, ka thënë Xhepa.

“E rrezikon Europën pasi e fut nën efektin domino. Kush do t’i shpëtojë? Duhet të ndërhyjë SHBA me Rezervat Federale”, ka deklaruar Ngjela.

“Unë mendoj se kjo krizë ishte e papritur. Askush nuk mendonte që do ta çonte këtë krizë drejt një referendumi popullor”, ka thënë Nako.

“Problemi me Europën është i tillë, që çfarë do që të ndodhë, Europa është e rrezikuar ekonomikisht dhe politikisht. Ka një rrezik që boshti politik të shkojë aq djathtas, që të kemi një uropë me shovinizma nacionalistë që do ta shkatërrojë BE-në. Këto forca janë të rrezikshme për Europën”, ka argumentur Qori. Gazetari Rrakipi ka pyetur ekspertin Xhepa për ndikimin e krizës greke në ekonominë shqiptare.

“Nëse kriza në Greqi përshkallëzohet, presionet mbi ekonominë tonë do të rriten. Do të preken remitancat, presione do të ketë mbi tregun e punës në Shqipëri, sigurimet etj që do të kërkojnë fonde nga buxheti, se do të vijnë emigrantët. Së treti, presion do të ketë mbi sistemin bankar. Mund të ketë stres mbi këto banka për shkak edhe të imazhit. Për efekte psikologjike mund të ketë presione të shtuara, edhe pse ato janë të mirëkapitalizuara. Qeveria shqiptare duhet ta ndjekë më me kujdes ecurinë në Greqi, të mbajnë marrëdhënie edhe me BE”, ka deklaruar Xhepa.

‘Ne kemi rreziqe të mjaftueshme në sistemin bankar në vend, por nuk do të ketë pasoja nga kriza në Greqi. Janë marrë masa pas vitit 2008 dhe kjo është meritë e BSH që ka insistuar për kapitalizimin e bankave që kanë qenë degë dhe janë shkëputur nga mëmat dhe kanë ndërprerë rrjedhjen e kapitalit. Rreziku financiar është realisht I ulët”, ka thënë Nako.

“Kapitalizmi po përshkrohet gjithmonë e më shumë nga krizat. Ne mendojmë se Marksi është autor komunist. Por në fakt ai është kritiki  kapitalizmit, i faktit që kontradiktat brenda kapitalizmit janë të pashmangshme”, ka deklaruar Qori.

“Janë pjesë të utopisë, edhe teoritë e Marksit. Ekonomia është futur në shkencë dhe e ka zgjidhur problemin e mirëqënies. Marksi as nuk e mendonte që bota do të arrinte në këtë mirëqënie që ka perëndimi”, ka thënë Ngjela.

“Marksi ka qenë edhe revolucionar. Një fakt është i vërtetë, që nëse bota do të kishte ecur me librin e Marksit dhe nëse Kina nuk do ta kishte zëvendësuar me teorinë e Adam Smith, do të ishte sot në varfëri”, ka thënë Xhepa.

“Sot ka probleme që nuk zgjidhen duke lexuar Marksin apo Adam Smith. Sot ka mjete të solidaritetit financiar që nuk janë menduar në kohën kur ishin këta mendimtarë. Radikalizimi i shoqërisë çon në përplasje, që i vëmë re në Greqi. Çon në bashkime të çuditshme si bashkimi i votës së Syriza-s me Agim e Artë dhe duket se recetat që ofrojnë janë identike.  E vetmja zgjidhje që ofrohet ng qeveria greke është më shumë para nga qytetarët e Evropës Qendrore për ata të perferisë. Kjo është një kërkesë normale, kush nuk do ta donte. Por kjo është një situatë që ka çuar në radikalizëm. Kjo situatë nuk do lëjë pa reagim nga pjesa tjetër e Europës. Pas referendumit, unë mendoj se ndihma do të fokusohet te ekonomia reale e Greqisë për të krijuar një shpresë. Kjo edhe për të gjithë rajonin. Vendi ynë gjendet në mes se edhe ne kemi tendencë drejt globalizimit. Edhe te ne ka shfaqje të radikalizimit”, ka deklaruar Nako.

SHKARKO APP