Të Paekspozuarit, Vrasja e turistëve çekë, Tahiri: Gjyqësori vendime të gabuara, Mjacaj është ledhatuar nga drejtësia

 

“Mikëpritje dhe plumba” eshte tema e emisionit ‘Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit, ku do të diskutohet për kriminalitetin në vend, nisur nga vrasja e dy turistëve çekë në veri të Shqipërisë. Në pjesën e parë të emisionit do të transmetohet një intervistë e gazetarit Rakipi me konsullen e Ambasadës çeke në Tiranë, Radka Salapkova, e cila e konsideroi këtë ngjarje si të izoluar dhe që nuk ka ndikuar në interesin e turistëve çekë për Shqipërinë.

Vrasja e turistëve çekë, Radka Salapkova: Incident i izoluar i një individi

“Ne e konsiderojmë krimin si një incident të izoluar të një individi, që mund të ndodhë kudo. Ne po e vlerësojmë situatën e sigurisë në zonë. Për momentin nuk e kemi ndryshuar faqen e këshillimit për turistët dhe pasi të vlerësojmë të gjithë informacionin që do të mbledhin, mund ta ndryshojmë paksa, por sinqerisht jo për momentin. Shumë turistë vizitojnë Shqipërinë nga vendi im. Është me të vërtetë një vend shumë I bukur. Shqiptarët I trajtojnë vizitorët si miq dhe kjo është arsyeja pse turistët çekë vijnë këtu kaq shpesh”, ka deklaruar konsullja ceke.

Më pas, në studion e emisionit ‘Të paekspozuarit” për këtë ngjarje, por edhe për kriminalitetin në vend ka qenë i ftuar ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Tahiri: Sokol Mjacaj është ledhatuar nga drejtësia

Gazetari Rakipi ka pyetur ministrin Tahiri për vrasësin e dy turistëve çekë, Sokol Mjacaj bazuar në aktivitetin e tij kriminal. Ministri akuzoi sistemin gjyqësor për vendime të gabauar, ku në shumë raste iu dhënë liria kriminelëve.

“Kam shqetësim së pari si qytetar dhe më pas si deputet dhe minister, për mosfunksionimin e sistemit gjyqësor. Unë besoj se nuk duhet të kujtohemi për atë që ndodh, kur ka krisma. Duhet të kujtohemi kur krisma të heshtura të gjyqësorit shkaktojnë këto situata. Ka shumë raste kur kriminaliteti kthehet, për shkak të vendimeve të gabuara të gjyqësorit. Rasti konkret është filmi tragjik për jetën e turistëve çekë, për autorin dhe familjen e tij dhe na tregon, për punën e madhe që duhet të bëjmë. Ai është filmi i një djali të mitur që sipas meje, nuk ka kryer të gjithë dënimin, por është ledhatuar nga drejtësia dhe I mori jetën dy turistëve të huaj”, është shprehur ministri.

Gazetari Rakipi pyeti Tahirin nëse duhet të ishte shteti që do të kërkonte falje, ashtu sic bënë edhe shumë qytetarë në rrjetet sociale. “Duhet të angazhohemi shoqërisht në këtë luftë”, është shprehur Tahiri.

Ministri ka shtuar se në Theth dhe në cdo destinacion turistik ka posta të përkohshme policie, por ato nuk mund të parandalojnë cdo ngjarje kriminale.

Tahiri: Kemi postë policie të përkohshme në çdo destinacion  turistik

“Aq sa është e mundur që policia të mbulojë territorin, ne e bëjmë, pasi nuk ka prezencë të policisë në cdo destinacion tristik, nuk ndodh as në botë. Por për shkak të rrethanave, duke filluar nga muaji i kaluar, ne kemi postë të përkohshme, në cdo destinacion turistik”, ka shpjeguar ministri.

Tahiri: Program që burgjet mos kthehen në fole kriminaliteti

Tahiri ka shtuar se zona ku u vranë 2  turistët çekë nuk është zonë me risk të lartë.

“Ne nuk mund të ngarkojmë policinë me përgjegjësi që nuk ka. Sot ka shumë njerëz që dalin nga burgu dhe ata nuk mund t’i ruajë policia. Pasi del nga burgu, qytetari mendohet se e ka shlyer dënimin. Kriminaliteti, vecanërisht te të miturit është problem madhor, duke filluar nga faqet e facebook, ku eksapozohen armë e drogë, e deri te përdorimi i alkoolit dhe drogës. Për mua sistemi i korrektimit nis në shkollë, në familje, në komunitetin e lagjes dhe përfundon në burg. Lë shumë për të dëshiruar sistemi i korrektimit në burg. Unë kam ngritur shqetësimin që në burg zhvillohet kriminalitet. Ne po përpiqemi që të zbatojmë një program për të frenuar që burgjet të kthehen në hotele apo në fole ku gjenerohet kriminalitet”, ka deklaruar ministri.

Tahiri ka shpjeguar se nuk duhet të kujtohemi për ngjarjet, kur ka vrasje. “Duhet të kujtohemi kur gjyqësori tregon çështje dobësie” ka thënë ministri.

Reforma në Drejtësi, Tahiri: Masat  e ndërmarra nga ministria e Drejtësisë janë hedhur poshtë nga KLD

Gazetari Rakipi ka pyetur ministrin e Brendshëm se çfarë po bëhet me reformën në drejtësisë.

“Ministri i Drejtësisë ka ndërmarrë masa që janë hedhur poshtë nga KLD. Sistemi i gjyqësorit është i pavarur. Ne po bëjmë një reformë që do të kërkojë kohën e vet, është një reformë që nuk duhet të jetë e nxitur, duhet marrë mendimi i qytetarëve i partnerëve më të rëndësishëm. Po bëjmë një reformë që shtron bazat për zgjidhjen e problemeve. Kjo kërkon kohë që të bëjmë gjërat e matura”, ka thënë ministri.

Tahiri: Reforma në drejtësi do të mbyllet në vjeshtë, do t’i qëndrojë kohës

Gazetari Rakipi ka insistuar për afatet se kur do të mbyllet reforma në drejtësi.

“Kryeministri ka deklaruar se kjo reformë mbyllet në vjeshtë, në shtator ose në tetor. Mos prisni që ta deklaroj unë se kjo është një çështje në proces. Më shumë e rëndësishme është cilësia sesa shpejtësia. Sesi përfshihen partnerët, mendimi i ekspertëve, dhe atyre që konsumojnë drejtësinë, me qëllim që të kemi një reformë që t’i qëndrojë kohës”, ka deklaruar Tahiri.

Reforma në drejtësi, Tahiri: Të mos ndodhë që politikanët të bëhen të pasur dhe të pasurit politikanë

I pyetur për mënyrën sesi janë pasuruar një pjesë e elitës dhe atyre të përfshirë në politikë, ministri deklaroi se reforma institucionale do të krijojë besimin se ligji zbatohet njësoj për të gjithë.

“Policia e Shtetit punon që ligji të jetë i barabartë për të gjithë. Reforma në drejtësi ka një rol thelbësor dhe ligji të jetë i njëjtë për të gjithë dhe të mos ndodhë që politikanët të bëhen të pasur dhe të pasurit të bëhen politikanë”, ka thënë Tahiri. Ministri ka shtuar se po zbatohen reforma, edhe në sektorë të tjerë, si sistemi arsimor.

Kriminaliteti tek të rinjtë, Tahiri: Po krijojmë minikomisariate në shkolla

Moderatori Rakipi ka pyetur për shtimin e kriminalitetit te të rinjtë nën 18 vjec. “Mungon një model i shëndoshë për adoleshentët, që t’i referohen muzikës, kulturës dhe jetesës normale brenda rregullave. Kemi kontribuar në vite që të krijojmë modën e të qënit i paligjshëm. Shumë të rinj mendojnë se je më në modë sot, nëse shkel pak ligjin. Nëse nuk vëmë dorë, do të humbasim një brez të tërë. Jemi duke punuar me të rinjtë, nëpërmjet instrumentave edukativë, instrumentave të transparencës në Policinë e Shtetit. Ne po krijojmë mini komisariate brenda shkollave, me vetë studentët. Ata nuk do të arrestojnë ndonjë, thejsht do të tregojnë sesi zbatohet ligji nëpërmjet asistimit nga një efektiv i ri i Policisë”, ka thënë ministri Tahiri.

Dekriminalizimi, Tahiri: Personat që kanë shlyer dënimin, të integrohen

Gazetari Rakipi ka pyetur ministrin për dekriminalizimin dhe pse duhet të përfshihen në lista emra që përfliten për të kaluarën e tyre problematike.

“Në princip unë jam dakord që nuk duhet të emërohen njerëz të tillë. Por nëse këta njerëz e kanë shlyer dënimin, duhet të integrohen. Ka raste plot në botë. Qëllimi I integrimit në shoqëri është pikërisht ky. Nga ana tjetër, unë mendoj se me një ligj të ri ne miniminalisht për të zgjedhurit dhe vendimarrësit publikë, duhet të jemi transparentë. Pastaj është vullneti politik që këta të përfshihen apo jo. Minimalja është që qytetarët ta dinë për personin që iu ofrohet”, ka deklaruar Tahiri.

Dekriminalizimi, Tahiri: Duhet të vendosim një standard ligjor

Gazetari Rakipi ka insistuar se përse i duhen politikës këta njerëz, kjo bazuar në zgjedhjet e 21 qershorit ku nga 9 kandidatë me rekorde kriminale, 5 rezultuan fitues.

“Kjo çështje mbetet në dorë të vullnetit politik. Duhet vendosur një standard ligjor. Kam kundërshtitë e mia për standardin. Shpëtimi nuk është të bindësh kryetarin e opozitës apo mazhorancës. Vullneti i një njeriu nuk mjafton. Shpëtimi është vendosja e një standardi që shkon përtej vullnetit të njerëzve. Ne duhet të vendosim disa piketa se kush do të jenë njerëzit që nuk duhet të marrin pjesë në funksionet publike. Kjo duhet ndërtuar mbi standard, pasi politizimi i dekriminalizimit krijon më shumë probleme. Ne nuk na duhet një proces politik. Ne na duhet një standard ligjor për personat e dënuar për një vepër penale dhe që duan të hyjnë në politikë. Kryeministri ka ftuar opozitën që ta bëjë draftin si të dojë. Opozita nuk ka pranuar. Deri më sot nuk ka lëvizje nga opozita për të shmangur debatin politik për këtë çështje. Unë kam folur me ndërkombëtarët për t’i formalizuar praktikat në një ligj që nuk po konkretizohet, pasi opozita ka braktisur tryezën e bisedimeve. Duhet të përcaktojmë disa kritere ligjore”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri: Asnjë nga kandidatët e PS nuk ka qenë i dënuar

Moderatori Rakipi ka insistuar se përse mazhoranca kandidoi për zgjedhjet e 21 qershorit emra të kundërshtuara edhe nga ambasadori amerikan, Donald Lu.

“Kjo punë kërkon standard të formalizuara në ligj. Në të kundërt, mbetet në vullnetin e çdokujt. Asnjë nga kandidatët e PS nuk ka qenë i dënuar, as në ndjekje penale aktive. Nëse do të ishte aktive, do të duhet të bënim ne kërkime”, ka shpjeguar ministri Tahiri.

Tahiri hedh poshtë aludimet për drejtimin e ministrisë së Drejtësisë

Gazetari Rakipi ka pyetur ministrin e Brendshëm për cilësinë e ministrave të kabinetit qeveritar.

“Kjo është qeveria më efektive krahasuar me gjithë të tjerat”, ka thënë ministri. Ai ka shtuar se  është shumë i fokusuar në detyrën e tij, duke hedhur poshtë aludimet për një kalim të mundshëm të tij te ministria e Drejtësisë.

“Unë jam i fokusuar në punën time dhe nuk merrem me thashethemet e kafeve të Tiranës. Reforma në drejtësi është shtylla kurrizore për të sjellë ndryshime të rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Është një prioritet mbi të gjitha. Ne kemi dhënë sgjerimet dhe kontributin tonë në komisionin që po merret me reformën”, është shprehur Tahiri.

Tahiri: Në shtator do jetë efektive Byroja e Hetimit

Gazetari Rakipi ka pyetur ministrin e Brendshëm për projektin e Byrosë së Hetimit.

“Ne po punojmë, edhe me ekspertët e FBI, në mënyrë që në shtator të kemi efektive Byronë kombëtare të Hetimit. Në mënyrë që të nisim skenarët e  hetimit për disa cështje në Shqipëri”, ka bërë të ditur ministri Tahiri. Ai shpjegoi edhe raportet me Prokurorinë. “Raportet me Prokurorinë janë institucionale, shumë të mira. Sigurisht ka vend  që  disa prokurorë të jenë më aktivë, por raportet janë të mira”, ka thënë ministri.

Ndryshimet në qeveri? Tahiri: Kjo varet nga kryeministri

Gazetari Rakipi ka pyetur ministrin Sajmir Tahiri edhe për ndryshimet e mundshme në qeveri.

“Kjo varet nga vlerësimi I kryeminsitrit. Kjo është qeveria më eficente”, ka deklaruar Tahiri.

Lazarati, Tahiri: Jo alternativë kriminalizimi

Gazetari Rakipi ka pyetur edhe për gjendjen në Lazarat dhe njerëzit që jetojnë atje.

“Lazarati nuk mund të jetë alternativë kriminalizimi dhe të kultivojmë kanabis se nuk kemi cfarë të bëjmë. Nuk mund ta lëmë Lazaratin të kultivojë kanabis deri sa të gjejmë një alternativë tjerër”, ka deklaruar Tahiri.

SHKARKO APP