Të rinj në Durrës ndezin qirinj në nderim të policit Afrim Bunjaku: Gjaku s’falet
Kosova është në zi Kombëtare dhe Shqipëria po ashtu. Të rinjtë në Durrës ndezën qirinj dhe përcollën mesazhe në nderim të policit të rënë në krye të detyrës, Afrim Bunjaku.
“Lavdi heroit Afrim Bunjaku”, “Gjaku s’falet”, ishin disa nga mesazhet e shkruara në pankartat që mbanin pjesëmarrësit të cilët vlerësuan lart rolin dhe sakrificën e policit të vrarë në krye të detyrës, për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës.
Ata i bënë thirrje shtetit shqiptar të reagojë në këtë moment vendimtar. Bunjaku u vra të dielën në veri të Mitrovicës gjatë një sulmi me armë ndaj policisë nga një grup terroristësh serbë.