Të rinj nga vendet ish-komuniste në Spaç, njihen me historinë e burgut dhe krimet e komunizmit
Të rinjtë nga 5 vende që kanë njohur regjimin komunist janë bërë bashkë në të parin kamp në burgun famëkeq të Spaçit. Për pesë ditë ata do të ndajnë eksperienca me njëri-tjetrin por do të dëgjojnë edhe nga ata që i vuajtën direkt dhunën, torturat dhe përndjekjen e komunizmit. Në fund të aktivitetit, Rruga e Spaçit do të marrë emrin Rruga e Lotëve.
Burgu famëkeq i Spaçit është përzgjedhur si një destinacion për tu treguar të rinjve të pesë shteteve që përjetuan dikaturën, formën e dhunës, torturat dhe përndjekjet e kohës.
Për këtë qëllim në Mirditë është organizuar kampi i parë veror, ku u bënë pjesë të rinj nga Shqipëria, Gjermania, Ukraina, Polonia dhe Bullgaria.
Për 5 ditë me radhë të rinjtë do të qëndrojnë në këtë vend për të ndarë sëbashku eksperiencat e tyre nën thundrën e komunizmit.
Luigj Milla: Në vazhdimësi do të merremi me bashkëndarje opinionesh, eksperiencash nga vende të ndryshme të lindjes, si janë ballafaquar ata me të kaluarën komuniste në vendet përkatëse, cili është qëndrimi i tyre për objektet e represionit, burgjet, kampet e internimit, kampet e përqëndrimit.
Komunizimi ka qenë i ashpër në të gjitha vendet ku erdhi në pushtet. Por në Shqipëri preku ekstreme të paimagjinueshme.
Historitë brenda burgut të Spaçit kanë impresionuar edhe të rinj, për të cilët krimet e komunizimit nuk janë të panjohura
Ivanna Zakharevyc: Unë vij nga Ukraina, nuk kisha dëgjuar më parë për burgun e Spaçit, por pranova me kënaqësi që të vi këtu për tu njohur me këtë vend. Unë jam e kënaqur që kemi këtu përsona që kanë vuajtur në burgun e Spaçit, të cilët po na udhëheqin vizitën. Nga shprehjet e tyre unë e shoh se si ata e ripërjetojnë atë që kanë kaluar dhe e dalloj vuajtjen në sytë e tyre. Prandaj me forcohet edhe më teper bindja që të jap kontributin dhe të bëjme diçka që dinamika të tilla të mos përsëriten më.
Burgu politik i sigurisë së lartë ku vuajtën denimet rreth 1 mijë persona. Zona e largët dhe terreni ku është ndërtuar ishin goditja e parë që u bëhej të dënuarve.
Tomasz Aramowicz: Më duhet ta pranoj nga vetë pozicioni gjeografik dhe rruga që përshkon për të ardhur në këtë vend mes maleve të thepisura, të krijohet një përshtypje ndrydhje dhe frike.Kjo është ajo goditja e parë emocionale që të jep kjo zonë.
Aktiviteti 5-ditor është organizuar nga Shoqata “Muzeumi i Burgut të Spaçit” në bashkëpunim me Komisionin Drejtësi dhe Paqe të Shqipërisë, me mbështetjen e dy organizatave gjermane.
Përfasuesit e Klerit Katolik të Shqiperisë dhe Gjermanisë thonë, se aktivitete të tilla janë mjaft të domosdoshme që të rinjtë të njihen me të kaluaren e eger komuniste.
Angelo Massafra: Kujtesa do të nxisë ecjen përpara me më shumë drejtësi dhe më shumë të mira, me angazhim, pa korrupsion dhe pa ja hedhur tjetrit.
Në mbyllje të këtij organizimi, të parit në këtij lloji, rruga që të çon drejt burgut të Spaçit do të marrë emrin Rruga e Lotëve.


/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

