Të rinjtë drejt arsimit profesional, rriten kërkesat për zanatet
Teksa maturantët janë në fazën e regjistrimit në fakultete, ka edhe nga ata që shkojnë drejt zanateve. Arsimi profesional duket se është një zgjidhje e mirë për ata të cilët periudhën e gjimnazit dëshirojnë ta kenë në studime të profilizuara. Arsimi profesional vijon pas arsimit bazë 9-vjeçar dhe synon përgatitjen e nxënësve për përvetësimin e njohurive dhe aftësive profesionale praktike. Në këto shkolla përgatiten specialistë të aftë për punë por edhe nxënës që mund të vazhdojnë Universitetin. Në Elbasan rreth 150 nxënës janë regjistruar vetëm gjatë ditëve të para në gjimnazin profesional “Salih Çeka” në Elbasan, për të ndjekur studimet e ciklit të mesëm. Drejtoresha e shkollës, Rudina Mita, thotë se ky fluks vjen për arsye se degët e shkollës profesionale janë në përputhje me kërkesat e tregut për punë.
“Ka rritje për sa i përket regjistrimeve në arsimin profesional. Nxënësit e klasave të 9-ta janë ndërgjegjësuar por gjithashtu edhe prindërit për ti drejtuar drejt arsimit profesional”. Shkolla ofron degë të profileve Teknologji Informacioni dhe komunikimi, Tekstil Konfeksione, Përpunim druri, Ekonomi biznes, Instalues të Sistemeve Hidraulike, Hoteleri-Turizëm etj. Risi për këtë vit do të jetë edhe futja e degës së re Shërbime Sociale dhe Shëndetësore.
Në sistemin e arsimit profesional aktualisht janë 58 shkolla publike, që ofrojnë 110 profile mësimore. Të ndara sipas programit, janë 43 shkolla teknike, 13 social-kulturore dhe 2 sportive. Gjithsej 21,351 nxënës. 75 përqind e tyre ndjekin shkollën me kohë të plotë dhe vetëm 25 përqind me kohë të pjesshme. Në arsimin profesional ofrohen shkollime profesionale afatgjata, 2, 3 dhe 4-vjeçare.
98% e nxënësve që përfundojnë arsimin profesional në Gjermani, Kanada apo Australi, punësohen menjëherë! Këto janë vetëm 3 nga vendet, që kanë një sistem të suksesshëm me programe në lëvizje të vazhdueshme. Në mënyrë fleksibël hapen degë të reja studimi, për të cilat tregu i punës ka nevojë. Ajo çka gjermanët i referohen si edukim profesional, janë programe studimore në nivel universitetesh, të krijuara për të përgatitur studentët, që të punojnë në fusha speciifike. Modeli gjerman i shkollave profesionale mbart këto koncepte bazë: orientimin praktik, vetë-disiplinimin për punën, si dhe pavarësinë.
Vetë të rinjtë që kanë zgjedhur arsimin profesional thonë se vendimin e kanë marrë për një të ardhme më të mirë, që më së pari një shkollë e tillë tu sigurojë mundësinë e punësimit. Ndonëse janë në hapat e parë të zanatit që kanë zgjedhur, ata besojnë se do të vazhdojnë të ecin në këtë rrugë.
KOHA JONË SONDAZH

