Të rinjtë rendin të kapin “ëndrrën amerikane”
Pas hapjes së procesit të aplikimeve për lotarinë amerikane, qytetarët shqiptarë duket se edhe këtë vit do të thyejnë rekord aplikimesh. Kryesisht janë të rinjtë që dominojnë numrin e aplikuesve. Erisa Kurti, një 20 vjeçare nga Tirana, thotë se nuk e sheh të ardhmen këtu, ndaj edhe do të largohet sa më parë. Ky realitet fakton atë që thuhet çdo ditë në çdo tavolinë, se të gjithë po largohen, Shqipëria po mbetet. Ndryshe nga vitet e tjera, tashmë për lotarinë amerikane mund të aplikosh vetëm me pasaportë. Pa kaluar 24 orë nga hapja e aplikimeve, qytetarët shqiptarë nxituan të prekin ëndrrën amerikane përmes lotarisë. Si çdo vit, numri i aplikuesve për lotarinë amerikane është shumë i lartë dhe kjo sigurisht nuk lidhet vetëm me tokën e premtuar, por me jetesën që në Shqipëri duket se po bëhet e pamundur.