Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, 42-vjeçari dhunon të atin dhe kërcënon me jetë policët

Një skenë si nëpër filma ka ndodhur në një familje, në Tiranë. Një 42-vjeçar ka dhunuar babanë, ka qëlluar me armë zjarri brenda banesës, duke terrorizuar familjarët, dhe më pas ka kanosur me armë edhe punonjësit e policisë.

Me të mbërritur në banesë, policët i kanë bërë thirrje të lëshojë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi R. L. i ka kërcënuar me jetë për të mos u afruar në banesë, pasi do t’i qëllonte me armë zjarri, por më pas është larguar nga banesa me shpejtësi.

“Në ndjekje të tij janë vënë forca të shumta të Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe pas disa orë ndjekjeje dhe kontrollesh kanë bërë të mundur kapjen e tij në një banesë të braktisur, si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.”, thotë policia.

Njoftimi i plotë:

Tiranë

Dhunoi babanë dhe qëlloi me armë zjarri në banesë, ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm, duke evituar një ngjarje të rëndë kriminale.

Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, 42-vjeçari i ka kanosur me jetë punonjësit e Policisë dhe ka tentuar të largohet duke përfituar nga errësira, por është kapur pas disa orësh ndjekjeje dhe kontrolli nga shërbimet e Policisë.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë, me të cilën autori qëlloi në banesë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë marrë njoftim se ne fshatin Bulticë, Njësia Administrative Vaqarr, në banesën e shtetasit Sh. L., 64 vjeç, kishte të shtëna me armë. Menjëherë, në drejtim të adresës së dhënë nga qytetarët, janë nisur shërbimet e Policisë.

Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar për të hyrë në banesë, shtetasi R. L., 42 vjeç, djali i shtetasit Sh. L, ka kërcënuar me jetë punonjësit e Policisë për të mos u afruar në banesë, pasi do t’i qëllonte me armë zjarri.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje 42-vjeçarit që të dorëzohej dhe të hidhte armën, por shtetasi R. L. ka mundur të dalë nga banesa nga një dalje dytësore dhe duke përfituar nga errësira është larguar me shpejtësi.

Në ndjekje të tij janë vënë forca të shumta të Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe pas disa orë ndjekjeje dhe kontrollesh kanë bërë të mundur kapjen e tij në një banesë të braktisur, si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.

Shtetasi R. L., pas një konflikti me babanë e tij, shtetasin Sh. L, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në banesë, por pa shkaktuar pasoja.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit R. L., për veprat penale “Dhuna ne familje” dhe “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP