“Të thirren nën armë ekspertët”, Minxhozi: Profesionistët e ndërtimeve t’i japin fund kaosit të 30 viteve
Analisti Skënder Minxhozi i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se Shqipëria lëngon nga një plan i qartë urban, ashtu siç kanë vendet perëndimore.
Minxhozi u shpreh se politika dhe babëzia në 30 vjet ka prodhuar një kaos total urban, që duhet të marrë fund.
“Urbanizimi është ndërtuar keq, është ndërtuar egër dhe pa plan. Mjafton të shikosh pjesën perëndimore të Shqipërisë, do të shohësh se është një lëmsh rrugësh pa semafor. Unë besoj se kjo tragjedi që ndodhi mund të konsiderohet si një gjysmë gote e mbushur dhe jo gotë gjysmë e zbrazur. Ne nuk dimë shumë gjëra, nuk dimë dëmet e plota, nuk dimë traumën tek njerëzit. Për mua problem është koncepti i gabuar për mënyrën si do të zhvillohet ky vend. Ne kemi ndërtuar dhe kemi përligjur atë qe kemi ndërtuar. Një dramë është edhe ajo e shtesave”, tha Minxhozi.
Skënder Minxhozi theksoi se në një shtet si Shqipëria, në një fatkeqësi të tillë, nuk mund të kërkohej nga qeveria të bëhej më shumë se kaq.
“Unë mendoj se një shteti si Shqipëria nuk mund t’i kërkonim më shumë se kaq. Unë mendoj se çdo maxhorancë që të ishte nuk mund të bënte më tepër se kaq. Unë do të doja që ekspertët të zgjidhin problemin dhe lëmshin që është bërë në 30 vjet politikë. Të thirren nën armë të gjithë ata që kanë mend për këtë situatë. Këta njerëz pastaj të shkojnë derë më derë e të shkatërrojnë këtë kaos”, deklaroi Minxhozi.