Teatri Kombëtar, Veliaj flet nga Japonia: Problem i ezauruar, do të vijojë ndërtimi
Nga Tokio, ku i është bashkëngjitur ekipit tonë kombëtar në lojërat olimpike atje, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se tashmë problemi është tejkaluar dhe gjithçka është bërë në funksion edhe të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
“Ju ftoj që të shikoni këtë parkun këtu dhe trarët i ngjajnë shumë parkut tonë olimpik që kemi bërë në Tiranë. Sa sherr u bë për parkun olimpik. Sa sherr u bë për stadiumin në Tiranë. Kështu që problemi është ezauruar, i ka kaluar toka pa ndërtesë sipas vendimit të Kushtetueses. Kemi dëshmuar që kur ne shqiptarët dedikohemi te puna mund të bëjmë gjëra që në zhargon i themi ‘si jashtë shtetit’. Ndaj edhe punën për Teatrin do ta bëjmë”, tha Veliaj për “Report Tv”.
Ditën e premte Qeveria mori vendimin që sipërfaqja e truallit ku ishte ndërtuar Teatri Kombëtar, të kalojë në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Vendimi është marrë në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Në VKM thuhet se kalon në pronësi të bashkisë së Tiranës, lloji “truall”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë, me sipërfaqe totale 5 522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2, ku ka qenë godina e Teatrit Kombëtar, e cila tashmë nuk ekziston më si godinë.