Teatri në pronësi të bashkisë, Goci: Është një lojë ping-pongu mes institucioneve

Kalimi i truallit të Teatrit Kombëtar nga qeveria tek Bashkia e Tiranës ka shkaktuar shumë reagime nga aktivistë e qytetarë të cilët janë në mbrojtje të saj.

Artistët dhe shoqëria civile i janë drejtuar edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit për të nisur auditimin e procedurave të ndjekura nga Bashkia e Tiranës për tenderimin dhe ngritjen e Komisionit për Teatrin e ri Kombëtar.

Për pedagogun dhe aktivistin Ervin Goci, e gjitha kjo nuk është legjitime dhe i ngjan më shumë një loje ping-pongu nga institucionet.

Ervin Goci: Kjo tregon se institucioni i teatrit, kryeministria, institucioni politik, bashkia luajnë të gjithë në një lojë. Për publikun ka rëndësi që të kuptohet se këto janë të gjitha manovra. Nuk ka asnjë lloj legjitimiteti. Këta luajnë ping-pong me njëri-tjetrin. Në orën 1 e gjysmë fiks, del drejtori i Teatrit Kombëtar në pedonale për të dhënë një intervistë për një televizion, dhe po në të njëjtën orë, del Veliaj në deklaratë në Bovillë me kapele dhe me xhup pa mëngë. Ti e kupton që këto lëvizje janë të gjitha të koordinuara dhe u ka dalë boja në atë farë feje. Si ka mundësi që një aktor i teatrit nuk reagon dhe të thotë, mirë teatri i ri, por nga Ministria e Kulturës, një institucion kombëtar na bëtë artistë të komunales, na çutë tek Veliaj. Çfarë është Veliaj, pronari i truallit, ndërtesës, institucionit, apo është ministër kulture? Ka një ligj që me numër 139 i vitit 2015 që i lejon Bashkisë së Tiranës të futet në partneritet me privatin dhe tja kalojë privatit e të marrë një sipërfaqe për ta shfrytëzuar për vete. Kjo ka ndodhur tek godina e Policisë Bashkiake. Në këtë moment, kullat janë më kërcënim akoma. Sepse kemi precedentin që e ka bërë. Ligji ka më shumë fuqi se një VKM. Ai mund ta përdori ligjin edhe pse është VKM-ja. 

SHKARKO APP