Tedi Blushi i përgjigjet Bashës: Te zyra e Presidentit kërkoje ndihmë për të dalë nga krizat që i shpikje vetë
Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi i është përgjigjur akuzave që sot kreu i PD-së, Lulzim Basha lëshoi ndaj Ilir Metës. Blushi thekson se ndaj Bashës rëndon katërkëndëshi i përgjegjësive madhore.
Po ashtu Blushi thekson se Presidenti vijon të ketë vullnetin ta mirëpresë Bashën për çdo sqarim apo paqartësi në zyrën e tij në Presidencë, ku sipas Blushit, kreu i PD-së është mirëpritur sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat që i shpikte vetë.
Reagimi i plotë
Keqardhje, që z.Lulzim Basha, vazhdon të përfshijë Presidentin e Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, në krizat që ai vetë i shpik pa u lodhur. Për këtë arsye, i rikujtojmë z.Basha, KATËRKËNDËSHIN e përgjegjësive të tij madhore:
📌 1. Bojkoti i reformës administrative-territoriale;
📌 2. Bojkoti i reformës në drejtësi;
📌 3. Djegia e mandateve të deputetëve;
📌 4. Zerimi i opozitës në pushtetin vendor; që sollën kapjen totale të shtetit.
Megjithatë, Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z.Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në Zyrën e Tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë.
Kur z.Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99. Për Lulzim Bashën dhe çdo aktor tjetër të Partisë Demokratike, që kërkon të provokojë Presidentin e Republikës, duke i transferuar përgjegjësitë e tij për krizat dhe bojkotet, që sollën kapjen totale të shtetit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vetëm një përgjigje: TRANSPARENCËN DHE FAKTET!
Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.