Tedi Blushi: Varfëria nuk luftohet me paketë therrimesh

Partia e Lirisë reagoi sot lidhur me indeksimin e pagave në vend që u lajmërua nga kryeministri Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi e quajti “Paketë Thërrimesh” indeksimin e pagave dhe pensioneve, teksa tha se vetëm në shtatë muajt e fundit çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur nga 6.7% në janar në 13.3% në korrik.

Deklarata e Tedi Blushit

Pagat në administratën publike nuk janë rritur nga muaji mars i vitit 2017, përjashtuar pagat e arsimtarëve dhe të mjekëve.

Duke mos i rritur pagat për punonjësit e sektorit shtetëror apo duke i rritur në mënyrë të diferencuar Qeveria ka shkelur hapur parimin e përfitimit, që duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.

Jo vetëm kaq, por Qeveria ka shkelur hapur edhe detyrimin e saj për të mbrojtur nivelin e jetesës së nëpunësve publikë në kushtet kur rritja abuzive e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në ekonomitë familjare, që e ka bërë koston e jetesës së përballueshme.

Nga viti 2017, kur pagat në administratë kanë ngelur njësoj, çmimet kanë kaluar vit pas viti në stratosferë. Referuar vetëm 8 muajve të fundit çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur progresivisht, duke kapur nivele dyshifrore:

6.7% rritje në janar

6.9% rritje në shkurt

9.5% rritje në mars

9.9% rritje në prill

11.4% rritje në maj

12.6% rritje në qershor

13.3% rritje në korrik.

Në kushtet kur çmimet e larta kanë rritur ndjeshëm nivelin e varfërisë në vend dhe po rrënojnë si kurrë më parë ekonomitë familjare, miratimi sa më parë i nismës së Partisë së Lirisë për indeksimin me ligj të pagave, jo vetëm do të garantonte qëndrueshmërinë e të ardhurave të punonjësve të administratës por do të jetë edhe një masë tepër efektive për përballimin e kostove të larta të jetesës.

Në thelb të propozimit të Partisë së Lirisë qëndron:

📈 – Rritja e pagës për administratën çdo vit në datën 1 korrik, duke marrë për bazë rritjen reale ekonomike të vitit paraardhës.

📈- Indeksimi i pagës për administratën çdo vit duke marrë për bazë ndryshimin e Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

📈- Rritja e pagës minimale të bëhet çdo vit në datën 1 korrik, duke marrë për bazë rritjen reale ekonomike të vitit paraardhës.

📈- Indeksimi i pagës minimale në shkallë vendi të bëhet çdo vit në bazë të ndryshimit të Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Rritja reale dhe indeksimi i pagave, sipas projektligjit të depozituar në Kuvend nga Partia e Lirisë do të sjellë efekte tepër pozitive ekonomike dhe sociale të qëndrueshme sepse:

📌 – Mbron punonjësit nga rritja e çmimeve.

📌 – Nuk lejon uljen reale të pagës dhe si rrjedhim të fuqisë blerëse.

📌 – Nxit rritjen e konsumit dhe ndikon pozitivisht në rritjen ekonomike.

📌 – Mundëson rritjen e të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore duke mundësuar përmirësimin e bilancit.

📌 – Ul korrupsionin.

Partia e Lirisë, si avokate dhe mbrojtëse e flaktë e interesit qytetar, i bën thirrje Kuvendit ta shqyrtojë menjëherë dhe ta votojë me unanimitet këtë projektligj të rëndësishëm, që mbron qytetarët nga varfëria.

Administrata publike është lodhur nga mashtrimet dhe “thërrimet” që u ndan Qeveria, që ka pesë vite që nuk ka nxjerrë një vendim në interes të tyre!

I bëjmë thirrje të gjithë punonjësve dhe nëpunësve të administratës publike të vrasin frikën dhe të kërkojnë me guxim miratimin e ligjit të propozuar nga Partia e Lirisë, e vetmja nismë konkrete që ju garanton më shumë të ardhura dhe më shumë mirëqenie për ta dhe familjet e tyre!

SHKARKO APP