Tejmbushen burgjet me 233 të arrestuar brenda natës! Droga e re në formë xhelatinoze, shitej me 50 euro

Megaoperacioni më i madh në vend, i zhvilluar brenda pak orëve. 23 grupe kriminale që merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike afër shkollave në lokale dhe blloqe banimi janë goditur në disa qytete të vendit. 233 shpërndarës janë vënë në pranga. Operacioni u ndërmor gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe deri në orët e para të mëngjesit në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan e Vlorë.

Gjatë këtij operacioni janë firmosur 296 masa sigurie arrest në burg dhe janë kryer kontrolle në 356 ambiente. Nga 296 persona deri tani janë ekzekutuar 214 masa sigurie ”arrest me burg” ndërsa vijon kërkimi për 82 të tjerë.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla e quajti prioritet luftën kundër shpërndarësve të drogës në ambientet e shkollës. Balla shtoi me tej se do të bëhen vetëpastrime nga radhët e policisë, për të gjithë ata punonjës policie që bëhen palë me grupet kriminale.

Grupet kriminale të përfshirë merreshin me shitje të llojeve të ndryshme, nga kokaina deri tek llojet e tjera. Burimet thonë se gjithashtu janë kapur qindra doza kanabisi dhe shuma të mëdha parash, ndërsa në këtë veprimtari kriminale ka të përfshira edhe vajza.

Policia ka kapur edhe një lloj droge të re e cila vinte nga jashtë, kryesisht me postë nga Kanadaja, një lloj droge xhelatinoze. Një kuti si ato të konservave, kushton 50 euro, ndërsa të tjerat shkojnë deri në shifra 300 euro. Mësohet se në pranga ka përfunduar një efektiv policie, edhe një menaxher i një lokali në ish-Bllok.

SHKARKO APP