Teknologji e re për mbetjet në Tiranë, Veliaj: Ata që i gjuajnë tigrit me gurë, të njëjtët që djegin edhe kazanët

Tirana po piloton me sukses teknologji të re për pastrimin e qytetit. Nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryetari Veliaj tha se në kryeqytet po vijon vendosja e kontenierëve të rinj metalikë që do të zëvendësojë ata plastikë, të cilët janë edhe më rezistentë.

“Kemi filluar të zbatojmë një teknologji të re për mbledhjen e mbeturinave. Në fakt janë 3 risi. Së pari, në pjesën më të madhe të qytetit, do të shikoni që kazanët janë ndërruar nga plastikë polikarbonat, në metal. Kemi pasur raste të jashtëzakonshme të vandalizimit. Ata që i gjuajnë tigrit me gurë edhe që i numërojnë dhëmbët, janë edhe ata që djegin kazanët”, deklaroi Veliaj.

Sipas tij, është një kontingjent që mundohet të vandalizojë qytetin dhe të testojë kush është më i fortë, civilizimi apo injoranca. Ai sqaroi se në pjesën më të madhe të territorit janë kontinierët me dy kapakë.

“Në pjesën brenda Unazës së Mesme, do të jenë kontenierë thuajse të blinduar, që kanë vetëm një kokë magnetike. Hedhja e mbeturinave në këto kontenierë funksionojnë ngjashëm siç futen zarfet në kuti postare. Pra, individi pas momentit të futjes së mbeturinave në hapësirën përkatëse, fleta do të rimbyllet për të shmangur daljen dhe djegien e tyre”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Në zonën turistike të qytetit pranë qendrës, Bashkia e Tiranës po vendos kontenierët nëntokësorë për mbledhjen e mbeturinave. Aktualisht një teknologji e tillë nuk është aplikuar as në Verona apo Vicenza të Italisë.

“Për zonën turistike po pilotojmë ato që quhen kazanët nëntokësorë, me madhësi 5 herë më të madhe se sa kazanët fizikë. Do të thotë që ka më pak nevojë të ndërrohet, por na mundëson edhe një efekt estetik. Kur ka mbërritur dita që vjen ankesa në bashki: Na çmendën turistët! Do të thotë që është një ditë e mirë për qytetin. Deri dje thoshin: Na çmendën plehrat ose problemet e qytetit. Sot jemi në një situatë ku disa po stresohen se kemi shumë turistë. Ky është një problem i mirë për t’u pasur. Por edhe për këtë fakt, ku ka edhe huliganë që vijnë për sport apo edhe flukse të mëdha turistësh, pasja e kontenierëve mbi sipërfaqe, mund të zëvendësohet fare mirë me kazanët nëntokë”, shtoi Veliaj.

SHKARKO APP