Teksa kërkohet shkarkimi i Ardi Veliut, Rama e merr pranë vetes: Policia e Shtetit jo lukuni
Kryeministri Edi Rama, pasditen e së premtes bëri një vizitë në QSUT, ku ka parë nga afër gjendjen e të lënduarve nga protesta e djeshme. Në krah Rama gjatë prononcimit për gazetarët kishte edhe Ardi Veliun, kreu i Policisë së Shtetit, për të cilin po bëhet edhe protesta sot, ku kërkohet shkarkimi. Rama dhunën e ushtruar në protestat e dy ditëve të fundit e ka quajtur një lukuni absurde, ku sipas tij polici i plagosur nuk kishte asnjë faj, që të rrezikojë të humbasë dritën e syve. ”Kjo që po ndodh nuk ka të bëjë me qytetarinë. Tejkalimi ekstrem i të drejtës për të ushtruar forcë me policinë, nuk ka drejtësi, çfarë drejtësie? Drejtësi e dhunës mbi të gjithë dynjanë? Drejtësi është që efektivi do të dënohet. Një tjetër rrezikon të humbasë dritën e syrit”,-tha Rama.
Pjesë nga fjala e Ramës
Në asnjë rast, në asnjë mënyrë kjo nuk është e lidhur me demokracinë dhe drejtësinë. Nuk ka asnjë lidhje që ka të bëjë me dhimbjen dhe tronditjen e qytetarisë shqiptare kur morën lajmin e humbjes tragjike të jetës së djalit 25 vjeçar nga tejkalimi ekstrem i të drejtës për të ushtruar forcë.
Drejtësinë e halabakërisë dhe të dhunës. Sot efektivi u shpreh i penduar. E patë dhe e dëgjuat. Nuk bëri asnjë përpjekje për alibi dhe do të dënohet sipas ligjit. Është drejtësia. Morali është ai i ministrit të Brendshëm, i cili dha një shembull fisnikërie pa pasur asnjë fajit direkt apo indirekt, por si qytetar dhe si pjesë e kësaj shumice.
Mos flisni me dhjetëra. Ato plagosjes bëni mirë që t’i shikoni dhe të mos i zmadhoni. Këtu është një sa për njëmijë që po humb dritën e syve. Kush del në protestë, ka gjithë të drejtën e Zotit dhe të drejtën e vet që të manifestojë indinjatën e vet për një akt që i ka indinjuar të gjithë por nuk ka të drejtë të prekë askënd. Policia e Shtetit nuk është një lukuni
Presidenti akoma nuk e ka dënuar dhunën, akoma nuk është kujtuar t’i thotë një fjalë kësaj familje dhe del një orë përpara lajmit se po vjen fundi i botës nga kjo lukuni që ngre gishtin ndaj policisë. Prova janë fjalët e Presidentit të Republikës së bashku me ish-Presidentin që sot e gjithë ditën është krenar që ka vrarë njerëz dhe u tregon shqiptarëve se dhuna është rruga për të ecur përpara.
Prova janë ata minorenë që janë manipuluar dhe abuzuar. Dhe patjetër edhe të joshur edhe me para për të marrë rrugët. Policia ka qenë përtej kufijve të tolerancës, qoftë natën e parë kur është kthyer në mur kur është marrë në shënjestër. Policia ka të drejtën të reagojë në mënyrë proporcionale.