Telekom Albania dhe Kryqi i Kuq, mjete shkollore për 100 fëmijët jetimë

Telekom Albania në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar ka pajisur me mjete shkollore fëmijët jetimë. Kompania i është bashkuar nismës së Kryqit të Kuq Shqiptar për të mbështetur këtë shtresë në nevojë. Mbështetja konsistonte në pajisjen me materiale didaktike fëmijët jetimë për fillimin e vitit shkollor 2015 – 2016. Synimi i kësaj nisme është që t'u japë këtyre fëmijëve një paketë të plotë dhe të domosdoshme për të zhvilluar procesin e shkollimit. Paketa përmban çantën e shkollës, fletore, lapsa, ngjyra, vizore, stilolapsa dhe çdo mjet tjetër të nevojshëm për zhvillimin e një procesi produktiv mësimor.

Në ceremoninë e shpërndarjes së dhuratave, në ambientet e Muzeut Kombëtar, Drejtoresha e Kryqit të Kuq Shqiptar, Znj. Angjelina Pulluqi, u shpreh se "Falenderojmë Telekom Albania që iu bashkua nismës së Kryqit të Kuq për të ndihmuar rreth njëqind fëmijë jetimë në prag të fillimit të vitit të ri shkollor. Donacioni i Telekom Albania mundësoi paketat bazë mësimore për këta fëmijë që jetojnë në Tiranë dhe zonat përreth. Ky është një shembull që duhet ndjekur edhe nga donatorë të tjerë”.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Telekom Albania, Z. Florian Papadhimitri, u shpreh se "Prej vitesh Telekom Albania është angazhuar në projekte të përgjegjësisë sociale duke ndihmuar komunitetet dhe shtresat në nevojë. Paketa që ne dhurojmë për 100 fëmijë jetimë është e plotë dhe kompleton me mjetet e nevojshme shkollore të gjithë fëmijët që nuk kanë mundësi t`i kenë ato”.

Kjo shtresë sociale e komunitetit rritet në kushte të vështira sociale dhe ekonomike. Dhe për shumicën e fëmijëve jetimë  kujdesen prindërit e ve, gjyshërit ose të afërmit. Bashkëpunimi i Telekom Albania me Kryqin e Kuq Shqiptar është i hershëm. Më herët kompania ka mbështetur nismat e saj në mbështetje të komuniteteve më pak të përkrahura të shoqërisë. Telekom Albania si pjesë e grupit Deutsche Telekom ka ndër prioritetet kryesore mbështetjen ndaj grupeve shoqërore më pak të mbështetura.

Rreth Telekom Albania

Telekom Albania filloi operacionet komerciale në 1996, me emrin komercial Albanian Mobile Communications. Në 2008 iu bashkua Grupit Deutsche Telekom dhe në 2015 përqafon identitetin e brandit Telekom. Telekom Albania, me produkte moderne, inovacion të përhershëm në përputhje me zhvillimet e reja teknologjike dhe çmimet më konkurruese, është shndërruar në ofrues të rëndësishëm të komunikimit dhe inovacionit cilësor në Shqipëri.

Rreth Deutsche Telekom

Deutsche Telekom është nga kompanitë e integruara të telekomunikacionit lider në botë, me rreth 151 milionë abonentë celularë, 30 milionë linja të rrjetit fiks dhe mbi 17 milionë linja broadband (deri më 32 dhjetor 2014). Grupi Deutsche Telekom ofron rrjet fiks, komunikim cellular, produkte dhe shërbime internet dhe IPTV për konsumatorë, si dhe zgjidhje të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për abonentët biznes dhe korporatat. Deutsche Telekom është i pranishëm në mbi 50 vende dhe ka rreth 228 000 punonjës në mbarë botën. Të ardhurat e Grupit Deutsche Telekom në vitin financiar 2014 ishin 62,7 miliardë euro dhe mbi 60% e kësaj shume u gjenerua jashtë Gjermanisë.

 

SHKARKO APP