Televizioni publik t’u jetë besnik qytetarëve, jo partive politike

“Po flasim këtu për transmetuesin publik, jo për televizionet komerciale. Paratë rrjedhin nga qytetarët të cilët financojnë punën e transmetuesit kombëtar publik me të ardhurat e fituara me punë”, tha Raunig.

“Elitat politike në shoqëritë në tranzicion kanë prirjen ta nënvlerësojnë rëndësinë e sektorit të transmetuesit publik. Megjithatë, është shumë e rëndësishme të kuptojmë se modeli evropian i një mjedisi transmetimi të mirëbalancuar mbështetet në një balancim të kujdesshëm pushtetesh midis televizionit publik dhe atyre komerciale”, u shpreh ambasadori Raunig.

Ky ekuilibër, vijoi ambasadori i OSBE-së, “siguron marrëdhënie të harmonishme midis interesave të caktuara politike apo ekonomike dhe interesit të qytetarëve, që shpesh përkufizohet si interesi i përbashkët. Vendet që po përpiqen të zhvillojnë më tej demokracinë duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë këtij modeli, të krijojnë një transmetues publik të qëndrueshëm nga aspekti ekonomik, me pavarësi redaksionale dhe profesionale, i cili kontrollohet nga publiku, financohet nga publiku dhe është bërë për publikun”.

Sipas ambasadorit Raunig, “është detyra ligjore e Kuvendit të Shqipërisë të zgjedhë e reja drejtuese të transmetuesit kombëtar publik. Në këtë kontekst, do të doja të theksoja rëndësinë e veçantë të integritetit personal, kompetencës profesionale dhe angazhimit të shëndoshë politik të ekipit drejtues dhe redaksional të RTSH-së”.

Sigurisht, theksoi ai, “është një rrugë e gjatë përpara drejt realizimit të një qëllimi kaq ambicioz siç është besimi i publikut. Shkëmbimi i përvojave dhe puna e përbashkët për zhvillimin e mekanizmave specifike të llogaridhënies janë një pjesë e rëndësishme e procesit. Ne, në Prezencën e OSBE-së, ju mbështesim plotësisht në lidhje me kohën dhe energjinë që do të investoni në këtë seminar dyditor”.

Ambasadori Raunig siguroi se OSBE dhe partnerët ndërkombëtarë janë të gatshëm të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë me sa të munden. Seminari rajonal për transmetuesit publikë dhe rritjen e besimit të tyre te njerëzit zhvillohet sot dhe nesër në Tiranë. Seminari organizohet nga Bashkimi i Transmetuesve Evropianë (EBU), Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, UNESCO dhe Radio-Televizioni Shqiptar.

SHKARKO APP