Temperatura deri në -13°C në juglindje, izolohen disa fshatra nga dëbora

Ulja e temperaturave deri në -13 gradë në zonat malore të juglindjes së vendit ka sjellë probleme përsa i përket qarkullimit të mjeteve si dhe furnizimin me energji elektrike.

Për shkak të trashësisë së madhe të dëborës, shoqëruar me ngrica, 10 fshatra të njësive administrative Gorë në bashkinë Maliq si dhe Dardhas në Bashkinë e Pogradecit janë të izoluar.

Qarkullimi për shkak të pranisë së madhe të akullit në rrugë është i vështirë edhe në fshatrat e Devollit të sipërm, siç është i tillë edhe në aksin rrugor Shtyllë – Panarit, kryesisht në majë të Mashkullores, aty ku kalimi bëhet me zinxhirë.

Për të njëjtën arsye me zinxhirë kalimi bëhet edhe në fshatrat e njësive administrative Trebinjë e Velçan në bashkinë e Pogradecit si dhe në fshatrat të njësisë administrative Vithkuq.

Njësitë administrative nga dita e djeshme janë duke punuar për normalizimin e situatës rrugore si dhe kriposjen e rrugëve kryesore të këtyre njësive. Gjatë orëve të fundit ka patur probleme me furnizimin me energji elektrike kryesisht në Ersekë e Pogradec.

Grupe të OSSHE janë duke punuar për rikthimin e energjisë elektrike edhe në këto zona.

SHKARKO APP