Temperatura deri në 42 gradë, ISHP apel qytetarëve dhe jep disa këshilla
Vendi është përfshirë nga temperatura ekstremisht të larta, ndërsa vlerat maksimale pritet të arrijnë 42 gradë. Ndaj dhe Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar disa këshilla për qytetarët që të tregohen të kujdesshëm.
ISHP-ja bën thirrje të rinjve që të tregohen të kujdesshëm ndaj të afërme, familjarëve apo të moshuarve që kanë probleme dhe kalojnë shumë kohë vetëm. Po ashtu thuhet se është e rëndësishme që të qëndrojmë freskët, në ambiente të mbyllura dhe të përdorim freskuese apo kondicioner, të shmangim pijet e nxehta, si çaj apo kafe, e po ashtu edhe alkoolin, pasi rrisin dehidratimin.
Ekspertët këshillojnë ushqime të shëndetshme dhe të freskëta si sallatë apo fruta si dhe rekomandohet pushim dhe shmangie të aktivitetit fizik. Sipas meteorologëve, vendi do të mbesë në kushte të njëjta atmosferike edhe për ditën e nesërme, ndërsa fundjava pritet të sjellë një rënie të lehtë të temperaturave.
“Gjatë një vale të nxehti, ndihmoni personat që vuajnë nga i nxehti. Kontrolloni familjarët, shokët dhe komshinjtë që kalojnë shumë kohë vetë. Personat e moshuar ose të sëmurë që jetojnë vetëm duhet të vizitohen të paktën një herë në ditë.Gjithashtu ndiqni një kurs të ndihmës së parë për të mësuar se si të veproni gjatë emergjencave si pasojë e temperaturave të larta”, këshillon Instituti i Shëndetit Publik.