Temperaturat deri në -16 gradë dhe ngricat pushtojnë Kukësin! Të bllokuara disa rrugë rurale

Temperaturat e ulëta nën zero dhe ngricat, kanë “pushtuar” Kukësin që prej fillimit të kësaj jave.

Zona me e ftohtë është Shishtaveci ku temperatura përllogaritet të jetë deri në -16 gradë celcius. Ndërkohë janë hapur rrugët e bllokuara nga dëbora e ditëve më parë, përveç rrugës që lidh Njësinë Administrative Arrën me rrugën nacionale bashkia Kukës.

Sipas njoftimit zyrtarë të Bashkisë Kukës ,është bërë e mundur ndërhyrja për pastrimin dhe zhbllokimin e akseve rrugore në Zapod, Pakisht,Kosharisht, Topojan, Çajë, Shkinak, Orgjost, Borje, Shtrezë. Në rrugën Kukës – Shishtavec, qarkullimi vazhdon normalisht pa problematika dhe firma kontraktuese ka angazhuar 5 mjete borëpastruese dhe kripëhedhëse. Shtabi i Emergjencave Civile dhe Ekipi i Rrugëve Rurale i Bashkisë Kukës, vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri të plotë, për shkak të motit të acartë dhe ngricave. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal ndërsa pa energji janë fshatrat Nimçe, Oreshk dhe Cernalevë Nj.Ad Zapod bashkia Kukës. Deri në këto momente nuk kemi të raportuar ndonjë problematikë emergjente tek banorët.

Në 48 orët e fundit Kukësi, është përfshirë nga temperaturat e ulëta me disa gradë nën zero, ndërsa ngrica dhe dëbora janë prezente në rrugë ndaj apelohet për të gjithë drejtuesit e rrugës të bëjnë kujdes të madh, të reduktojnë shpejtësinë, të përdorin pajisjet dimërore dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

SHKARKO APP