Temperaturat ekstreme, Tomini jep këshillat e duhura: Të shmangen daljet në oraret e pikut
Vendi është në ditët më të nxehta, por cilat janë disa nga këshillat që duhet të ndjekim për të përballuar këtë valë të nxehti dhe cilat kategori duhet që të shmangin ekspozimin në diell në këto ditë të nxehti ekstrem? Drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini teksa dha disa këshilla për qytetarët, theksoi se moshat e treta, gratë shtatëzëna dhe moshat e reja duhet që të shmangin daljen në oraret e pikut.
“Duhet vendosur kapelja, një çadër dielli nëse duhet që të lëvizin gjatë orareve ekstreme, një shishe me ujë është domosdoshmëri. Duhet që të hidratohemi nëpërmjet pirjes së ujit dhe të lëngjeve, duket të shmangim pijet me kafeinë, alkolinë. Moshat e treta, gratë shtatëzëna dhe moshat e reja duhet që të shmangin daljen në këto oraret e pikut të temperaturave të larta nga ora 11 deri 4 pasdite. Rekomandohet qëndrimi në ambiente të freskëta dhe të konsumohen fruta dhe lëngje”, tha ajo.
Sa i përket masave që flitet se do të merren për reduktimin e orëve të punës për administratën publike për shkak të valës ekstreme të të nxehtit, Tomini tha se kjo duhet të vlerësohet nga strukturat e qeverisë.
“Janë vlerësuar disa element, por në nivelin e politikbërjes i takon strukturave të emergjencave civile dhe atyre të qeverisë për të dhënë rekomandime. Sigurisht ISSH pyet dhe rekomandon në çdo element dhe në çdo fazë. Situata është dinamike dhe vlerësohet në momentin e caktuar dhe strukturat përgjegjëse do të reflektojnë vendimmarrjen e caktuar”, tha ajo.