Tendera gjatë fushatës, Berisha akuza për disa kryebashkiakë
Kreu i PD-së, Sali Berisha akuzon qeverinë dhe drejtues lokalë për shkelje të rënda të Kodit Zgjedhor, përmes promovimeve dhe inaugurimeve të projekteve publike gjatë periudhës së ndaluar nga ligji elektoral. Berisha u ndal në Bashkinë e Durrësit dhe atë të Beratit, duke përmendur me emra kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako, dhe ish-kryebashkiakun e Beratit, Ervin Demo.
Sipas tij, në muajin janar 2025 janë mbajtur disa aktivitete promovuese nga Bashkia Durrës:
17 Janar 2025: Prezantimi i infrastrukturës së re për varrezat në Durrës.
20 Janar 2025: Shpallja për përfundimin e punimeve në rrugën “Bletaj”, Rrashbull.
27 Janar 2025: Promovimi i shëtitores së plazhit në Durrës, një çështje që sipas tij është promovuar për herë të 15-të.
Në vijim të denoncimeve, Berisha u ndal edhe në rastet e Beratit, ku pretendon se Ervin Demo ka përdorur projekte publike për qëllime elektorale.
”21 Janar 2025: Promovimi i ecurisë së ndërtimit të urës në Bilçë.
22 Janar 2025: Ndërtimi i urës në Lapardha me ndihmën e ushtrisë.
29 Janar 2025: Pastrimi i kanaleve kulluese në Velebish.
30 Janar 2025: Prezantimi i infrastrukturës turistike Vodicë-Qafë Dardhë”, renditi Berisha disa prej inaugurimeve.
Për të këto aktivitete përbëjnë një politizim të administratës dhe përfshirje të ushtrisë në procese zgjedhore, çka bie ndesh me ligjin. ”Ky Ervin Demo meriton heqjen e menjëhershme të mandatit kallp që ka marrë duke mashtruar qytetarët”,-tha Berisha. Kreu i PD-së akuzoi edhe kryeministrin Edi Rama dhe disa ministra të kabinetit të tij për përfshirje në promovime publike gjatë një periudhe kur aktivitetet e tilla ndalohen nga Kodi Zgjedhor, duke i cilësuar si pjesë e një “farse elektorale”.
KOHA JONË SONDAZH

