Tenderi për uniformat e policisë, 8 zyrtarët lihen në burg. Inxhinierja nuk pranoi të firmosë abuzimin

Abuzimi me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit u ka kushtuar lirinë 8 zyrtarëve, ndërsa një do të lihet në masën e sigurisë ”arrest shtëpie”. Gjykata Speciale kundër Korrupsionit vendosi sot masat për 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, që akuzohet se kanë abuzuar me tenderin e uniformave të policisë së vitit 2020.

Personat që ndodhen në burg për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmjarrësve në tendera apo ankande publike” janë Edlira Naqellari, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Klevis Hasani, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe për Gëzim Mingaj, ndërsa Anisa Bogdani ”arrest shtëpie”.

Ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari ka ndryshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të kërkuara nga Policia e Shtetit dhe ka favorizuar fituesin. Sipas përgjimeve të SPAK, këto veprime të paligjshme, Naqellari i ka kryer në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë të arrestuar.

Inxhinierja tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aurora Mulla nuk ka pranuar të firmosë tenderin, duke ngritur shqetësimin për abuzimin që po bëhej. Ajo thotë se nuk ka pranuar t’i nënshkruajë dy tabela, pasi ishin bërë ndryshime nga anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit në sasitë e pritshme të artikujve dhe ajo nuk ka qenë dakord.

SHKARKO APP