Tensionet në veri të Kosovës, Panariti: Jemi në një situatë lufte. Rusia do vatra destabilizimi në rajon
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi propozimin e SHBA-ve për të shtyrë me 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.
Për ish-ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti këto orë do të shfrytëzohen për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Ai kujton edhe se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kishte deklaruar se po shkon në takim vetëm që të mos përflitej Serbia, por jo se kishte pritshmëri që do të arrihej një gjuhë e përbashkët.
“Shpresoj dhe uroj në një ndikim më të madh të SHBA-ve në rajon. SHBA duket më pro Kosovës sesa BE, që edhe proceset e nisura po i finalizon me vonesë. Angazhimi amerikan është i mirëpritur. Jam i lumtur që kemi një angazhim më të madh amerikan, presioni pozitiv i SHBA-ve mund të krijojë një marrëveshje që shpresoj të jetë e qëndrueshme”.
Panariti e sheh situatën si një lojë të Rusisë, që për të përmes Serbisë po kërkon që të krijojë vatra destabilizimi në rajon.