Tentoi të largohej me 13 kg kanabis në makinë, arrestohet 26-vjeçari
Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia e Himarës, pasi akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Policia njofton se pas informacioneve, kanë tentuar të ndalojnë makinën e cila drejtohej nga i riu, por ky i fundit ka tentuar që t’u shpëtojë forcave të policisë.
Gjatë tentativës së arratisjes, i riu ka hedhur nga makina një sasi kanabisi prej 13 kg. Arrestimi i tij u bë pak minuta më vonë, ndërsa policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një automjet “Ford Fiesta dhe një sasi parash prej 2400 eurosh. Ndërkohë, mbi të riun rëndon akuza, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Njoftimi i policisë
Himarë
Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Livadhi”.
Sekuestrohen 13 kg kanabis, vihet në pranga 1 shtetas.
Specialistët për hetimin e narkotikëve dhe forcat operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në qytetin e Himarës po qarkullonte një automjet i dyshimtë, menjëherë kanë organizuar punën, me qëllim bllokimin e këtij mjeti.
Në tentativë për t’u larguar dhe për t’i shpëtuar shërbimeve të Policisë, drejtuesi i automjetit “Ford Fiesta” e ka hedhur nga automjeti lëndën narkotike, pranë zonës bregdetare të quajtur “Livadh”, Himarë.
Në ndjekje e sipër, shërbimet e Policisë kanë bërë kapjen e menjëhershme dhe arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, 26-vjeçarin K. P., banues në Shkodër.
Në vijim të veprimeve procedurale, Policia ka bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
- 13 kg cannabis sativa;
- një automjet “Ford Fiesta”;
- një sasi parash prej 2400 eurosh;
Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të tij, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.