Tentoi të trafikonte për prostitucion bashkëjetuesen dhe vajzën e saj të mitur, arrestohet 37-vjeçari në Shkodër

Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikim, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Tentoi të shfrytëzojë për prostitucion ndërmjet mashtrimit, dhunës fizike e psikologjike, bashkëjetuesen dhe vajzën e saj të mitur, vihet në pranga 37-vjeçari dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, pas informacioneve të marra dhe falë reagimit profesional dhe të shpejtë, arrestuan në flagrancë shtetasin T. P., 37 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër.

Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpunetori i tij, shtetasi Z. F., 41 vjeç, banues në Shkodër.

Shtetasi T. P., në bashkëpunim me shtetasin Z. F., 41 vjeç, nëpërmjet mashtrimit e ka trafikuar bashkëjetuesen, shtetasen L. Gj., në Gjermani dhe ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj, me qëllim që ta shfrytëzonte për prostitucion gjatë kohës që bashkëjetonte me të Gjermani.

Gjithashtu, shtetasi T. P. ka tentuar përsëri për ta trafikuar në Gjermani, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, këtë shtetase, bashkë me vajzën e saj të mitur, të cilave u kishte marrë dhe pasaportat biometrike.

Në banesën e shtetasit T. P., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale pasaportat biometrike të shtetases L. Gj. dhe të vajzës së saj të mitur.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”.

SHKARKO APP