Tentoi t’ia mbathte, por përfundoi i plagosur. Hetimet ndërtojnë skemën e ngjarjes së djeshme në Tiranë
Mesditën e djeshme policia mundi të neutralizojë të shumëkërkuarin Orgest Bilbili. I riu u arrestua dje, pasi u plagos në këmbë nga nje efektiv i focave “Shqiponja”. Tashmë Orges Bilbili ndodhet nën kujdesin mjekësor dhe nuk ka folur ende para uniformave blu.
Nga hetimet policia ka zbuluar se 30-vjeçari nga Lushnja i akuzuar për vrasje që mbeti i plagosur pasi tentoi të ngrinte armën ndaj një efektivi policie jetonte në një apartament në rrugën “Sitki Çiço” me qira prej disa muajsh, shkruan Bw. Apartamentin e ndante me një djalë tjetër i cili nuk është identifikuar ende nga policia. Ditën e djeshme, kur ndodhi ngjarja ata kanë qenë në rrugë të dy, por personi tjetër u largua në drejtim të paditur. Policia e Tiranës ushtroi kontroll në këtë banesë dhe gjeti një arme zjarri dhe një sasi të konsiderueshme parash.
Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen ka rindërtuar skenën e plagosjes së Orges Bilbilit dhe kalimtares.
Dëshmia e punonjësit të policisë është përputhur me pamjet e kamerave të sigurisë në zonë të cilat u sekuestruan. Ngjarja u shënua në orën 11:35 ku efektivi i “Shqiponjave” iu afrua Orges Bilbilit i cili ishte duke lëvizur më këmbë në brendësi të lagjes në rrugën “Sitki Çiço” ndërsa kolegu i tij ishte duke kontrolluar lulishten para Maternitetit të Ri. Në brendësi të lagjes punonjësi i Shqiponjave konstatoi Orges Bilbilin së bashku me një person tjetër dhe u afrua për të komunikuar me ta, për të mësuar arsyen e daljes dhe për t’i identifikuar por Bilbili e kundërshtoi dhe iku me vrap.
Polici fillon ta ndjekë dhe në momentin kur ishin para shkollës “Niket Dardani” Orges Bilbili në ecje e sipër nxori pistoletën nga çanta marsup, por pistoleta iu rrëzua në tokë. Në këto momente punonjësi i policisë qëlloi në ajër për ta paralajmëruar.
Bilbili mori pistoletën nga toka dhe ia drejtoi policit. Ky i fundit hapi zjarr në drejtim të Bilbilit dhe e plagosi. Nga 3 të shtënat në drejtim të Bilbilit një prej plumbave ka kapur edhe 30-vjeçaren me iniciale M. P. e cila po kalonte rastësisht aty.