Tërhiqet Lulzim Basha:Do hyjmë në zgjedhje

Demokratët i kanë dhënë fund zyrtarisht dje dilemës nëse do hyjnë apo jo në zgjedhje. Dyshimet i ka hequr vetë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas pjesëmarrjes në Asamblenë politike të Partisë Popullore Europiane, në Bruksel. “Ne e konsiderojmë 21 qershorin një referendum të madh qytetar, për t’u shprehur me votë, jo vetëm për kandidatët e opozitës, por edhe kundër kësaj ndarjeje territoriale dhe për t’i hapur rrugë një procesi i cili nuk do të vonojë, ku së bashku me qytetarët shqiptarë do të vendosim hartën territoriale që është në favorin e interesave të tyre”, – deklaroi kreu i PD-së. Vendimi për të hequr nga mendja çdo mundësi bojkoti nuk ka ardhur nga forumet e Partisë Demokratike, por është deklaruar nga Lulzim Basha vetëm pas takimeve në Bruksel. Një shenjë se dëshira për të pasur një bojkot total të zgjedhjeve nuk ka gjetur mbështetje në Bruksel. Drejtuesit e partive simotra të PD-së që kanë peshë të rëndësishme në Parlamentin Europian dhe Komisonin Europian, duhet t’i kenë sugjeruar  kreut të PD-së  se duhet të hyjë patjetër në zgjedhje. Presioni ndërkombëtar për ta futur PD-në në garën zgjedhore duket se ka qenë i madh, pas arritjes së marrëveshjes për hyrjen e opozitës në Kuvend, çka ka sjellë dhe një reflektim nga ana e kreut të PD-së për pasojat që mund të sillte mospjesëmarrja. Por hyrja në zgjedhje vjen edhe pas dështimit të nismave të PD-së për të krijuar bllokimin e tyre. Fillimisht ishte ankesa në Gjykatën Kushtetuese për të mos njohur reformën territoriale, një ankesë e cila u rrëzua nga kjo gjykate para pak ditësh. Në njëfarë mënyre selia blu mendoi se anëtarët e Gjykatës Kushteutese që kanë ardhur nga vota e demokratëve do ta votonin , porse harruan në selinë demokrate se edhe kjo gjykatë,si disa institucione të tjera, shikon se “kush sundon kalanë, me atë janë!”. PD-ja synoi bojkotin e zgjedhjeve dhe me anë të referendumeve të lokale. Rreth 80 kërkesa për referendum u dorëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kundër ndarjes administrative, me synimin e vetëm shmangien e zgjedhjeve. Por edhe këto kërkesa u rrëzuan nga KQZ e më pas në Kolegjin Zgjedhor. Në këtë situatë, PD-ja zgjodhi hyrjen në zgjedhje, duke i cilësuar ato, siç u shpreh Basha edhe votim për kandidatët edhe referendum.

Zyrtarizimi i garës hap një tjetër sfidë jo të lehtë në Partinë Demokratike. Zgjedhjet e 23 qershorit janë testimi i parë elektoral i Lulzim Bashës si kryetar i PD-së. Gara për zgjedhjet vendore, si rregull duhet të jetë e fokusuar tek zhvillimi i zonave dhe larg përplasjeve politike. Megjithatë, për Partinë Demokratike këto zgjedhje janë fund e krye politike. Fitorja ose humbja në këto zgjedhje do të përcaktojë në një farë mënyre karrierën politike të kreut të saj, Lulzim Basha. Një fitore bindëse e tyre është një shenjë për zgjedhjet parlamentare dhe për një afrim më të shpejtë të Bashës drejt pushtetit. Ndërsa një humbje, do t’ia bënte rrugën drejt qeverisjes shumë më të vështirë kreut të PD-së. Një rezultat negativ i zgjedhjeve mund të rriste numrin e kundërshtarëve të Bashës brenda vetë Partisë Demokratike dhe mes grupit të PD-së, nuk janë pak ata që nuk e shohin me sy të mirë kreun e saj. Ndërsa tek e majta, sfida e zgjedhjeve është thjeshtuar vetëm në ndarjen e “tortës së pushtetit” mes PS-së dhe LSI-së, tek PD-ja Basha duhet të tregojë se është i aftë të menaxhojë interesat e disa grupeve. Në listën e kandidatëve potencialë, Basha ka disa emra që i ka provuar vetë në Partinë Demokratike që nga koha e marrjes së drejtimit të saj, të cilët pritet të vendosen si kandidatura në qytete kryesore. Por pavarësisht dëshirës për të promovuar një model të ri lidershipi Bashës i duhet të lëvizë me kujdes për të mos krijuar mëri mes mbështetësve të ish-kreut të PD-së, Berisha. Kështu, para se lista e kandidatëve të jetë gati, jo vetëm formalisht, duart në të do t’i fusë dhe ish-kryeministri Berisha. Jashtë loje nuk kanë si të mbeten dhe aleatët. Edhe pse një pjesë e partive të koalicionit të djathtë nuk kanë peshë elektorale, në rastin e Durrësit republikanët pritet të jenë faktor vendimtar për fitoren ose humbjen e zgjedhjeve. Ndërsa kanë nisur të lakohen emrat e parë jozyrtarë për zgjedhje, një rëndësi jo të vogël do të ketë kandidimi ose jo i Bashës për Tiranën. Në listën rezervë të PD-së janë disa emra që mund të garojnë, megjithatë vendimi i fundit do të merret vetëm nga Basha. Të futet prapë në Tiranë dhe ta humbasë është një minus i madh. Nëse e fiton blindohet aqsa nuk i del më njeri para në selinë blu. Por ku i dihet si del rezultati në Tiranë!

Vendimi për të hyrë në zgjedhje ka hapur për PD-në një tjetër betejë, atë për mbrojtjen e votës. Në deklaratën e bërë për mediat nga Brukseli, Basha ka prezantuar dhe atë që mund të quhet “skenari i humbjes”. Kreu demokrat i mëshoi faktit se zgjedhjet kanë nevojë për monitorim të rreptë ndërkombëtar, pasi ekzistojnë mundësitë e manipulimeve. Për 61 njësitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, pritet që PD-ja të kërkojë një numër rekord monitoruesish nderkombëtarë. Pjesëmarrja e një numri të madh monitoruesish veç efektit pozitiv, ka dhe anën tjetër të medaljes, pasi e klasifikon Shqipërinë si një vend me demokraci ende hibride. Gjithsesi, PD-ja hoqi dorë nga varianti i parë,bojkoti dhe po hyn në zgjedhje. Në korridoret e PD-së ka nisur të përshpëritet varianti B, mosnjohja e zgjedhjeve në rast të një humbje të madhe.  Tashmë shigjeta doli nga harku i Bashës; do hyjnë zgjedhje. Fillon përzgjedhja e kandidatëve e prej kësaj varet fitorja ose humbja.

 

 

 

SHKARKO APP