Tërhiqet prokurori, gjykata lë të lirë aktivistët e Vetëvendosjes që protestuan kundër HEC-it në Mirditë

Aktivistët e Vetëvendosjes të akuzuar pas protestës ndaj HEC-it në Thirrë të Mirditës për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” do të jenë në masën e sigurisë detyrim paraqitje. Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Lezhës, kjo edhe pas tërheqjes së organit të akuzës nga pretendimi për rikthimin e tyre në burg.

Masa e sigurisë detyrim paraqitje ishte ankimuar nga prokurori Françesk Ganaj, me argumentin se 4 të ndaluarit paraqisnin rrezikshmëri dhe mund të largohen për t’ju fshehur drejtësisë. Por gjatë shqyrtimit të çështjes në gjykatën e Apelit në Shkodër, organi i akuzës është tërhequr duke argumentuar se ka kaluar më shumë se një muaj nga lirimi i tyre dhe ata janë paraqitur rregullisht në policinë gjyqësore, duke mos ju shmangur drejtësisë.

Besnik Paci, Etnik Berisha, Endrit Bytyqi, dhe Çlirim Gerbeshi janë vënë nën akuzë pas protestës që u bë këtë fillim prilli kundër ndërtimit të HEC-it dhe një fabrike uji në Thirrë të Mirditës. Protestuesit u përplasen me policinë dhe bllokuan për disa minuta rrugën e Kombit. Pas kësaj proteste u shoqëruan në polici 32 persona, por vetëm për 4 personat e mësipërm u ngrit akuzë dhe çështja kaloi në gjykatë./ Abcnews.al

SHKARKO APP