Tërmetet në historinë e Shqipërisë

Shqipëria ka përjetuar këtë të mërkurë një seri tërmetesh që kanë sjellë panik në qytetet kryesore të vendit. Epiqendra ishte në Hamallaj të Durrësit me një forcë 6 ballë dhe magnitudë 5.1 të shkallës Rihter.

Pavarësisht shkallës së madhe të regjistruar, ky tërmet nuk ka të krahasuar me qindra të vdekur që shqiptarët kanë parë në vitet e shkuara. “Cat Monitor” ka publikuar një shkrim në lidhje me 10 rastet më tragjike të tërmeteve të rëna në Shqipëri.

1. 17 Tetor 1851. Dëme dhe shkatërrime në qytetin e Beratit. Numri i të vdekurve mbi 400, lëngëzim i shtresave të sipërfaqes së tokës shoqëruar me një pluhur sulfuri, rrëshqitje të mëdha dhe plasaritje e shtresave të tokës.

2. Tërmet me 3 Gusht 1855: U shkatërruan fshatrat Bushat, Juban, Kozmac dhe Vau Dejës. Dëmtime u shoqëruan me plasaritje të sipërfaqes së tokës edhe në Shkodër, Karmë, Dushan, Toplanë dhe Bruc.

3. Tërmeti i 22 Dhjetor 1919 në Leskovik- Konicë. Shumë shtëpia u shkatërruan dhe shumë të tjera u dëmtuan rëndë në fshatrat përreth. Fshatrat Isboros, Plavoli, Belthonsi dhe Kapaztiko në rajonin e Konicës u shkatërruan plotësisht.

4. Tërmeti i 18 Dhjetorit në 1920 në Elbasan. Në qytetin e Elbasanit u shkatërruan plotësisht 173 shtëpi, ndërsa të gjitha të tjerat u dëmtuan lehtë. Zona e dëmtimeve arriti deri në Peqin. Numri i të vdekurve ishte 14, ndërsa i të lënduarve 300 persona. Në disa zona u shoqërua edhe me plasaritje të sipërfaqes së tokës.

5. Tërmeti i 30 Mars 1921 në zonën e Peshkopisë. Shumë dëme u shënuan në qytetin e Dibrës në Maqedoni, ndërsa të dhënat për dëmet në territorin shqiptar mungojnë.

6. Tërmeti në Ultësirën e Nënshkodrës më 27 Gusht 1948. Dëmtime serioze u shënuan përgjatë lumit Buna në qytetin e Shkodrës, por dëmet më të mëdha pësoi fshati Trush, në të cilin u shënua 1 i vdekur dhe 21 të lënduar. Lëngëzim masiv përgjatë dy anëve të lumit Buna.

7. Tërmeti i Lushnjës më 1 Shtator 1959. Dëmtime serioze pësuan fshatrat rreth Lushnjës, Fier, Rrogozhinë, Peqin, Kuçovë dhe Berat. Në qytetin e Lushnjës dhe në fshatrat Karbunarë dhe Karbunarë e Vogël nga 944 shtëpi në total, 109 u dëmtuan plotësisht ndërsa 510 të tjera u dëmtuan rëndë. Dëmtime pësuan edhe institucione si shkolla, spitale, kinema, etj në qytetin e Lushnjës, Fierit, Rrogozhinës dhe Peqinit. Lëngëzim masiv dhe mosqëndrueshmëri e sipërfaqes së tokës.

8. Tërmeti i 30 Nëntor të 1967 në Librazhd-Dibër. Dëmtime të rënda u shënuan në qarkun e Librazhdit dhe të Dibrës (13 zona me 177 fshatra) në Shqipëri si dhe në pjesën perëndimore të Maqedonisë; 6,336 godina u dëmtuan nga të cilat 534 u shkatërruan plotësisht .

Dëme u shkaktuan edhe në zonat e qarkut të Elbasanit, Tiranës, Rrëshen, Burrelit dhe Pogradecit ku numri i viktimave arriti në 12, ndërsa i të lënduarve në 174 persona; Shkëputje toke në formë zigzag në një gjatësi 30-50 km si dhe zhvendosje vertikale prej 20-50 cm në sipërfaqen e tokës, rënie masive e gurëve (pjesë shkëmbore) sidomos përgjatë zonës së epiqendrës.

9. Tërmeti i 3 Prill 1969 në Tepelenë. Dëmtime serioze u shënuan në qarkun e Mallakastrës, Tepelenës, Fier, Berat, Vlorë, Përmet dhe Skrapar. 5,331shtëpi dhe 842 godina të tjera pësuan dëmtime të rënda. Fshatrat Rabije, Izvor dhe Cërrila (Tepelenë) u shkatërruan plotësisht, kishte shkëputje masive e sipërfaqes së tokës në fushën e Luftinjës.

10. Tërmeti i Tiranës më 9 Janar 1988. Ky tërmet u ndje kryesisht në qytetin e Tiranës, dhe në fshatrat përreth saj si Petrelë e Arbanë në të cilat u shënuan dëme të lehta.

SHKARKO APP