Tërmetet në Korçë, Çako: Situata është nën kontroll
Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako nga qarku i Korçës ku ndodhet pas tërmeteve që u regjistruan dje, theksoi se situata është nën kontroll edhe pas lëkundjeve të tjera që janë ndjerë gjatë ditës së sotme. Çako bëri me dije për “Report TV” se Emergjencat Civile janë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar banorët e prekur nga tërmeti.
“Janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara në Korçë, Devoll dhe Kolonjë. Janë marrë masat për sistemimin e banorëve, janë furnizuar me ushqime, ujë, medikamente dhe nevojat jetike. FA-të janë në mbështetje të tyre, por edhe strukturat e tjera. Floqi, Qafëzeza dhe Vidova janë fshatrat më të prekur. 160 banorë janë strehuar në Floq.
Banorët janë në mirëkuptim të plotë, nuk ka pasur rezistencë. Nuk ka pasur probleme. Po bëhen llogaritjet e dëmeve. Banorët do të sistemohen në ambiente të përshtatshme deri në rregullimin e banesave. Tërmeti është një fenomen që nuk mund të parashikohet. Rezonancat vijojnë, por në një ritëm më të ulët se 5.3 ballë që ishte dje”, tha ai.
Emergjencat Civile njoftojnë se 230 banorë në Korçë, pjesë më e madhe në fshatin Floq e kanë kaluar natën jashtë në çadrat që u ngritën nga Forcat e Armatosura pas tërmetit që u regjistrua dje. Banorëve u është siguruar ushqimi, uji i pijshëm, krevate dhe batanije. Përpos ditës së djeshme ku u regjistruan mbi 20 lëkundje pas tërmetit 5.3 ballë edhe sot kanë vijuar. Prej orës 00:35 minuta deri në 06:37 të mëngjesit të sotëm janë regjistruar 10 lëkundje me magnitudë deri në 3.5 ballë duke shkaktuar frikë dhe panik te banorët e juglindjes së vendit.
KOHA JONË SONDAZH

