Tërmeti 4.4 ballë, sizmiologu: S’ka asnjë lloj rreziku, pasgoditjet po vijnë duke u shuar
Mëngjesi i kësaj të marte nisi me lëkundje. Një tërmet me magnitudë 4.4 ballë goditi Shqipërinë. Epiqendra ishte 16 kilometra në veriperëndim të Tiranës dhe 12 kilometra në jug-jugperëndim të Krujës. Sizmiologu Rrapo Ormëni thotë se ky lloj tërmeti nuk ka asnjë lidhje me atë që ra në 26 nëntor të 2019. ”Ky tërmet ndodhet larg zonës së tërmeteve të parë. Nuk ka nevojë për panik sepse ka qenë një tërmet pa rrezik. Pas tij janë shënuar mbi 10 pasgoditje dhe më e madhja ka qenë 3.4”, tha Ormëni teksa shtoi se lëkundjet u ndjenë në Krujë e Durrës.
Nga ana tjetër, Ormëni nënvizoi se lëkundjet më së shumti u ndjenë në zonën afër epiqendrës dhe tek pallatet e larta. Këto tërmete a janë ndikuar edhe nga thatësira? Ormëni tha se kjo gjë bie poshtë pasi Shqipëria është një vend me aktivitet sizmologjik. Ai përmendi edhe disa nga zonat më të rrezikuara që preken nga tërmeti.
”Zona perëndimore, Shkodra, Lushnja, Korça e Dibra janë ndër zonat më të rrezikuara për t’u prekur nga tërmeti”, tha ai ndërsa theksoi se tërmetet kanë ciklin e vet dhe të tilla tërmete si ai i 2019 bien njëherë në 100 vjet.
KOHA JONË SONDAZH

