Tërmeti dhe fëmijët, psikologët në kampin e Thumanës
Tërmeti la pas humbjen, dhimbjen, rrënojat dhe frikën. Të gjitha këto reflektohen në kampin e familjarëve të prekur nga lëkundjet shkatërruese. Kur vjen puna te fëmijët, të parët që përballen me frikën, gjendja nuk paraqitet pozitive.
”Për momentin janë akoma në një situatë që nuk e dinë se ku”, thotë Fleura Shkëmbi. Ajo është njëra nga ato që iu përgjigj Urdhrit të Psikologut për t’u ardhur në ndihme të prekurve nga tërmeti dhe të vegjëlit përbëjnë misionin e saj ”Fëmijët harrojnë kur merren me lojë. Përmes veprimeve dhe ushtrimeve nxjerrin ankthin, stresin”.
Sipas psikologëve, fëmijët duhet të ndjejnë sigurinë se ajo që ndodhi nuk do ripërsëritet dhe ata janë të sigurt. U duhet shpjeguar ajo që po ndodh në mënyrën më të thjeshtë, duhet t’i qetësojmë e t’i bindim se janë shumë njerëz që po angazhohen për sigurinë e tyre. Mbi të gjitha, ata duhet të shprehen mbi çka përjetojnë. Punën kryesore në këtë pikë e kanë prindërit.
“Fillimisht prindërit duhet të ruajnë qetësinë e tyre. Duhet ta tregojnë me pamjen e tyre. Alarmi që është në kamp, situata është e rënduar”, thotë psikologia Adelina Pjetra. Në kampin e Thumanës janë ngritur 85 çadra dhe mbrëmjen e të martës në të janë strehuar 100 familje të prekura nga tërmeti, me fëmijët e tyre.