Tërmeti i fuqishëm në Turqi, shkon në 3 numri i shqiptarëve të vdekur

Konfirmohet një tjetër viktimë me orgjinë kosovare mes atyre që humbën jetën nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga ambasadori i Kosovës në Ankara, Ilir Dugolli.

Personat që kanë humbur jetën janë përkatësisht; Nazmije Dograjan, 64-vjeçe, Hatixhe Dogruja, 70-vjeçe dhe burri i saj Bajram Dogruja, 73-vjeç.

Shqiptarët nga Kosova, të larguar nga Prishtina që në 1956 dhe të vendosur në Izmir nuk mundën që të mbijetojnë nga tërmeti tragjik, pasi rrënojat i zunë poshtë nga shembjet e godinave. Mësohet se në gjendje të rëndë në spital ndodhet djali i Nazmije Dograjas, Malik Tahirleri. Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara ka shprehur ngushëllime për tri viktimat të cilat bëhet e ditur se janë nga familja Doğrayan në Izmir që kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit.

“Nga komunikimet e vazhdueshme, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është informuar se tre persona me origjinë nga Kosova nga familja Doğrayan në Izmir kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit. Mund të konfirmojmë se deri më tani nuk ka të dhëna për shtetas të Republikës së Kosovës të vdekur. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes Doğrayan dhe të gjithë familjeve dhe të afërmve tjerë të prekur nga kjo tragjedi, dhe iu urojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve”, thuhet në postimin e ambasadës.

SHKARKO APP