Tërmeti mbyll Muzeun Kombëtar, pritet ekspertizë për vlerësimin e dëmeve (FOTO)
Gazetarët që kanë shkuar të ndjekin promovimin e një libri për dokumente italiane mbi Shqipërinë e kanë gjetur Muzeun Kombëtar të mbyllur dje. Paraprakisht burimet thanë se muzeu u mbyll për shkak të dëmeve të mëdha që ka pësuar nga tërmeti i 21 shtatorit thelluar së tepërmi nga ai i 26 nëntorit. Aktiviteti i promovimit është transferuar nga Muzeu kombëtar te Libri Akademik në Akademinë e Shkencave.
Ndërkohë javën e shkuar në Muzeun Historik paçka gjendjes së tij janë çelur dy ekspozita dhe është mbajtur një konferencë për Petro Markon. Në orët në vijim, Ministria e Kulturës ka konfirmuar mbylljen e Muzeut Historik Kombëtar për shkak të dëmeve nga tërmeti. Zyra e shtypit tha këtë të mërkurë se “Muzeu është mbyllur për shkak të tërmetit. Është bërë një ekspertizë dhe kanë dalë problematike disa zona ku ka pasur dëme panelesh të objektit, dhe rënie suvaje. Është kërkuar një akt ekspertizë më e detajuar që do e bëjë Instituti i Ndërtimit. Deri në momentin që vjen ky akt ekspertimi, muzeu do jetë i mbyllur dhe administrata do zhvendoset”.
I mbyllur është edhe muzeu i përgjimit “Shtëpia me gjethe”, ku ka dëme të vogla, jo në objekte. Gjethi ka një cedim të dyshemesë dhe dëme sipërfaqësore, por vijon i mbyllur. “Presim Aktin e Ekspertizës dhe duhet të bëjmë riparimet para se ta hapim për vizitorët”, thanë në muzeun e përgjimeve. Ndërkohë, Galeria Kombëtare e Arteve që pati dëme dhe që ka qëndruar mbyllur prej 26 nëntorit, dje ka njoftuar: “Të dashur vizitorë, Dëshirojmë t’ju njoftojmë se nesër datë 19 dhjetor, Galeria Kombëtare e Arteve do të jetë e hapur për publikun nga ora 10:00 deri në ora 18:00. Ekspozitat që mund të vizitoni janë: ‘Tirana Patience’ në linjën muzeore dhe ‘Urimet më të mira për 1999: Koleksioni Jan Dibbets”. Më 10 dhjetor, GKA njoftonte se ajo si shumë ndërtesa në Tiranë, ka pësuar disa dëmtime dhe situata mbetet akoma e pasigurtë, ndaj ekspozita “Tirana Patience” nuk hapej akoma.
AKTIVITETET PAS TËRMETIT
Aktivitetet e organizuara në Muzeun Kombëtar pas 26 nëntorit janë disa. Më 11 dhjetor aty është hapur ekspozita “The Luxury of Italian Style, home, hotel, living space – by Simone Micheli”. Mbështetur nga Ambasada e Italisë në Tiranë, Agjencia ICE, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë dhe Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri (ÇIA), ekspozita që thjesht u strehua në muze synonte t’i tregojë publikut bukurinë që karakterizon stili italian nëpërmjet transformimit të çdo mjedisi që përbën hapësirën në një vepër arti të vërtetë të cilën përfituesi mund ta eksperimentojë, ta provojë, ta prekë me dorë, ta përjetojë etj.
Një tjetër aktivitet i po asaj dite, ku Muzeu shërben vetëm si ambient ishte ekspozita “Të zhdukur në diktaturë. E shkuara e pakryer”, që ishte bashkëpunim i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Aigurimit të Shtetit, Institute of Commission for Missing Persons (ICMP), Institutit për Integrimin e të Përndjekurve, Fondacionit Konrad Adenauer Stiftung dhe Muzeut Historik Kombëtar.
Më 10 dhjetor në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar me rastin e 100-vjetorit të “Ëeimarer Bauhaus” Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë përmbylli ekspozitën fotografike me subjekt arkitekturën, me autor fotografin berlinez Jean Molitor. Atë ditë ambasadori i Gjermanisë Peter Zingraf, shprehu ngushëllimet dhe në emër të vendit të tij për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit, u shpreh se kjo ekspozitë me fotografi synoi të hidhte dritë mbi aspektet e arkitekturës moderne në aspekte nga më të ndryshmet dhe se kjo ekspozitë pasqyron komplekset e ndryshme te gjithë gamës së ndërtimeve moderne. Më 12 dhjetor është çelur aty ekspozita “Plain Air 5” që pritej të mbyllej me 20 dhjetor, ndërsa më 14 dhjetor në MHK është mbajtur një konferencë me 22 referues për Petro Markon./Gsh.al