Tërmeti në Turqi, Kryegjyshi Botëror Bektashin letër Erdoganit: Jemi me popullin vëlla turk, uroj të ngriheni mbi këto fatkeqësi
Kryegjyshi botëror bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj i ka dërguar një letër ngushëllimi dhe solidariteti Presidentit Rexhep Taip Erdogan për tërmetin në lindje të vendit i cili deri tani ka shkaktuar 22 të vdekur dhe mbi 1 mijë të plagosur.
‘Baba Mondi’ i uron Erdoganit të grihet mbi këto fatkeqësi natyrore në udhëheqje të kombit turk të cilin ai e konsideron si vëlla të Shqipërisë.
LETRA E KRYEGJYSHIT BOTËROR
PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË TURQISË
SHKËLQESISË SË TIJ REXHEP TAIP ERDOGAN
NGUSHËLLIM
Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Prej mediave vizive dhe atyre të shkruara mësova me hidhërim të thellë për tërmetin e rënë në Elazig, i cili deri tani ka shkaktuar disa të vrarë dhe qindra të plagosur.
Sinqerisht kam shpresë që të ikurit nga kjo botë të prehen në xhenet, teksa i uroj shërim të shpejtë qindra të plagosurve.
Jemi me juve, me popullin vëlla turk në këto momente dhe miliona bektashinjtë e gjithë botës, i luten Zotit të lartë t’u lehtësojë vuajtjet.
Përfitoj nga rasti t’ju uroj edhe juve i nderuar Recep Raip Erdogan, të ngriheni mbi këto fatkeqësi natyrore në udhëheqje të kombit tonë vëlla.
Zoti ju bekoftë! Amin!
Kryegjyshi Botëror Bektashian
Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj