Tërmeti, Policia e Shtetit dhuron mbi 104 milionë lekë
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë një konference për mediet, u shpreh se pas rënies së tërmetit, Policia e Shtetit angazhoi në zonat e prekura mbi 4000 forca policie. Nga ana tjetër, ai tha se institucioni që ai drejton është organizatë ligj-zbatuese por është humane dhe solidare. “Punonjësit e Policisë së Shtetit, ashtu sikundër nuk morën parasysh rrezikun për jetën e tyre gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, po me këtë ndjenjë të lartë humanizmi dhe solidariteti nisën të parët grumbullimin e ndihmave për familjet e prekura nga tërmeti. Me këtë rast, duke përfituar nga ky komunikim publik, dua të falënderoj një për një, të gjithë punonjësit e Policisë, por edhe familjet e tyre që kontribuuan me vullnet sipas mundësive duke bërë të mundur mbledhjen e shumës 104 milionë e 350 mijë lekë, e cila u depozitua në platformën ‘e-Albania’. Mirëkuptoj edhe 2016 punonjësit e Policisë që nuk kanë kontribuuar me vlera monetare, pasi nuk kanë pasur mundësi”.