Tërmeti shkakton dëme edhe në Tropojë e Mat
Lëkundjet e fundit të tërmetit kanë shkaktuar një sërë dëmtimesh në banesat e Bajram Currit si dhe në Bashkinë Klos.Banorët e pallatit 5 katësh kërkojnë ndihmë pasi banesat e tyre janë bërë të pabanueshme. Po ashtu edhe shtëpia e familjes Katuçi me 6 anëtarë është në gjendje thuajse të rrënuar.
Tërmeti i fundit ka shkaktuar dëmtime edhe Bajram Curri.Një pallat 5 katësh i ndërtuar në vitet ’90 ka pësuar çarje duke përbërë rrezik për familjet që jetojnë aty. Pallati ka pasur dëmtime por lëkundjet e fundit kanë shkatuar çarje në mesin e pallatit si dhe mënjanim.
Banorët janë ankuar disa herë por marrja e masave ka qenë pothuajse zero.
Ali Syla: “Si në 2005 edhe në tërmetin e shtatorit, aq më tepër në tërmetin e fundit ka pësuar ikje në njërin krah, çarje, është i pabanueshëm.”
Fatmirësisht pa dëme në njerëz, por tërmeti i rënë së fundmi ka lënë në qiell të hapur familjen Katuçi në Klos.
Familja e Ylber Katuçit prej 6 anëtarësh është detyruar të dalë jashtë pas lëkundjeve pasi ka nisur shembja e banesës.
Gjatë momentit të largimit, djali 6-vjeçar i kësaj familjeje është lënduar nga gurët që po shembeshin.
Ndërsa kryefamiljari, Ylber Katuçi nuk ndodhej në banesë pasi punonte në minierë.
Ylber Katuçi: “Katrahurë, çunin e kam në spital. I ka rënë një gur në këmbë. E kemi përjetuar keq, bashkëshortja është shtatzënë.”
Zëvendëskryetarja e Bashkisë Klos, Adelina Laçi, tha se grupet e emergjencave civile po bëjnë verifikimet e të gjithë raportimeve të banorëve.
Për sa i përket familjes Katuçi, Laçi se gjendja është e rëndë dhe se shtëpia është e pabanueshme.
Adelina Laçi: Janë dëmtuar 7 familje. Banesat janë bërë të pabanueshme. Po bëhen verifikimet.
Në Bashkinë e Klosit janë me dhjetra banesa të raportuara si të dëmtuara. Tre banesa janë në Njësinë Xibër në të cilat nuk mund të jetohet.
Po ashtu raportime ka patur edhe në njësitë Suç e fshatrat e Njësisë Klos.