Tërmeti shkatërrues, OBSH monitoron nga afër situatën
Organizata Botërore e Shëndetësisë është duke asistuar autoritetet shqiptare të përballin pasojat e rënda që ka lënë pas tërmeti i 26 nëntorit. Stafi njoftoi se po monitoron nga afër situatën për të kapërcyer vështirësitë me emergjencat në spitale dhe sfidat që po përball qeveria shqiptare.
“Në emër të OBSH-së, dua t’i shpreh ngushëllimet Shqipërisë, veçanërisht atyre që kanë humbur të dashurit, janë plagosur ose kanë humbur pronën. Ndodhemi në terren që prej momenteve të para të fatkeqësisë, dhe po punojmë me autoritetet për të shpëtuar jetët e njerëzve”,-deklaron drejtorja e OBSH-së për Europën, Dr. Piroska Ostlin.
Organizata vlerëson punën e Qendrës shqiptare të Koordinimit të Emergjencave. “Unë personalisht kam vizituar zonat e prekura dhe ambientet spitalore, ku personeli punon pa pushim për të trajtuar traumat dhe plagosjet e tjera, dhe shoh që po ia dalin shumë mirë”, shprehet drejtori i OBSH-së për Shqipërinë, Dr. Raul Gonzalez-Montero. Prioritet tani mbetet shpëtimi i jetëve nga godinat e shembura, por një rrezik potencial për OBSH-në janë edhe sëmundjet që mund të përhapen si pasojë e mbipopullimit të personave që aktualisht strehohen në çadra, adresimi i pastraumave dhe rehabilitimi i komunitetit të prekur.