Tërmeti tragjik, ambasada e Katarit anulon pritjen me rastin e Ditës Kombëtare

Nisur nga rrethanat e jashtëzakonshme e të vështira që po kalon Shqipëria për shkak të gjendjes së krijuar nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, Ambasada e Shtetit të Katarit në Republikën e Shqipërisë, vendosi të anulojë Pritjen me rastin e Ditës Kombëtare që do të mbahej ditën e mërkurë më 11.12.2019, në shenjë solidariteti me Republikën e Shqipërisë dhe popullin mik shqiptar dhe në respekt të viktimave të tërmetit.

Shteti i Katarit qëndroi në krah të Shqipërisë dhe popullit shqiptar që prej ditës së parë të këtij tërmeti, duke ofruar ndihma urgjente, në koordinim të plotë me autoritetet lokale  për të dëmtuarit në zonat e prekura në bashkitë Tiranë, Durrës, Thumanë, Vorë dhe Kavajë.

Ambasadori i Shtetit të Katarit, Ali bin Hamad Al Marri, ka kryer disa vizita inspektuese në zonat e prekura, nën direktivat e Lartësisë së tij Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ku mbikqyri nga afër shpërndarjen e ndihmave nga Fondi i Katarit për Zhvillim në bashkëpunim Qatar Charity. Ai shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e tërmetit, dhe konfirmoi solidaritetin dhe qëndrimin e Shtetit të Katarit përkrah Shqipërisë në këto momente të vështira.

Ambasadori u shpreh gjithashtu se ai shpreson që Shqipëria të tejkalojë efektet e tërmetit sa më shpejt, të kapërcejë fazën e tanishme e të rimëkëmbet sa më parë, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Shtetit të Katarit për Republikën e Shqipërisë dhe popullin mik shqiptar.

SHKARKO APP