Tërmeti tragjik, Prokuroria nis hetimet për shtatë pallatet e rrënuara në Laç

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, janë referuar materialet për vlerësim, sepse nga veprimet e kryera nga ekspertёt teknikё të ngritur nga Bashkia, Kurbin dhe grupi i punës i ngritur nga D.P.P. Shtetit, rezultoi se në lagjen nr.3 Laç, Kurbin, 7 pallate, 5 katёshe, si shkak i tёrmetit tё datës 26.11.2019, do të shemben, pasi kishte dëmtime të shumta: plasaritje, shembje tavani dhe savaje. ”U morёn pjesё tё lёndёs sё ndёrtimit tё pallateve si: tullё, llaç lidhёs ndёrmjet tullave, beton tё kollonave dhe kampione suvatime. Një nga pikat kryesore që do hetohet është nëse janë bërë ndërhyrje në strukturat mbajtëse të pallatëve për ndërtim dyqanesh apo lokalesh në katet e para”,-thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në Laç do të nisë shembja e godinave të cilat kanë rezultuar të pabanueshme për shkak të tërmetit. Kryeministri Edi Rama, tha se duhet të nisë sa më shpejt shembja e pallateve të rrezikshme dhe prej andej të nisë ndërtimi i lagjeve të tjera me parametrat dhe standardet e duhura. ”Në Laç do të fillojmë shembjen e atyre godinave, nuk kemi çfarë presim më. Të gjitha pallatet që vizitova unë, pallatet e revolucionit demokratik duhet të shemben dhe të gjithë atyre duhet t’u bëjmë shtëpi të reja pa diskutim. Që të kemi edhe në Laç një lagje krejt të re të re të ndërtuar me parametra të tjerë në të gjithë atë zonë. Kështu që filloni menjëherë shembjen e atyre pallateve, komunikoni me banorët për të marrë çfarë ka brenda, ndihmojini që t’i marrë gjërat që kanë brenda në qoftë se nuk ka probleme rrezikshmërie për të qenë të sigurt 100%, nxirrjani gjërat që kanë brenda dhe filloni shembjen e pallateve. Të gjithë ato pallate problematike në atë zonën që vizituam do të pastrohet, e gjithë ajo zonë do të bëhet një lagje e re e Laçit. Të fillojmë menjëherë”,-tha Rama. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, bëri të ditur lajmin se do të ketë një lagje të re në Laç. Pas inspektimeve në Fushë Mamurras, Lleshaj tha se: ”Akoma nuk është përcaktuar se ku, por ajo që është përcaktuar është që do të kemi një lagje të re në Laç, në të cilën do të sistemojmë të gjithë ata banorë, të cilat janë prekur rëndë nga dëmtimet”.

Nga ana tjetër, dy ekipe nga Prokuroria e Durrësit kanë nisur hetimet për objektet e rrënuar nga tërmeti. Hetimet do të bëhen për objektet që kanë shkaktuar viktima dhe një tjetër për 200 objekte që kanë pësuar dëme por nuk kanë shkaktuar viktima. 200 dosje të objekteve të shpallura të pabanueshme në Durrës do t’i nënshtrohen hetimit të Prokurorisë dhe ”Task-Forcës” ngritur për përgjegjësitë njerëzore pas tërmetit. Një tjetër hetim po kryhet në 6 objektet te cilat shkaktuan viktima mes tyre hotele, shtëpi private. Ky hetim pritet të zbardhë nëse zonat në të cilat janë kryer ndërtimet kanë pasur apo jo dhe miratimin e Institutit të Sizmiologjisë i cili është një ndër kushtet kryesore për t’u pajisur me leje ndërtimi. Procedim penal ka regjistruar edhe Prokuroria e Krujës për pallatet e Thumanës që shkaktuan viktima por nga tërmeti i 21 shtatorit ishin shpallur të pabanueshme.

SHKARKO APP