Terminal i ri për autobusët ndërqytetas, Veliaj: Ta çojmë Tiranën përpara
100-vjetori i shpalljes kryeqytet do ta gjejë Tiranën jo vetëm me një unazë të re, por edhe me një terminal të ri. Me rinisjen e punimeve në zonën e Astirit, Bashkia e Tiranës ka zhvendosur terminalin autobusëve të jugut dhe veriut, nga zona e njohur si ish-Dogana tek terminali provizor pranë kthesës së Kamzës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen për ndërtimin e terminalit, që do të jetë në shërbim të automjeteve për linjat ndërqytetëse.
Terminali i ri ofron më shumë vende qëndrimi për autobusët, ndërkohë Bashkia e Tiranës ka marrë masat për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve brenda qytetit përmes transportit urban. “Ka një hapësirë më të madhe sesa ish-Dogana, do të sistemojë 63 vend-poste dhe stacione për autobusët e veriut dhe jugut, ndërkohë që juglindja do të vazhdojë të shërbehet nga Qyteti “Studenti” dhe parkingu i madh atje. E jo vetëm kaq, por kemi edhe 4 linja autobusi urban që do kenë një stacion ngjitur me terminalin e autobusëve; pra, linja e ‘City Park’, e Kamzës, linja e Institutit dhe ‘Tirana e Re’, të katërta do të ndalojnë aty, për t’i çuar pasagjerët në drejtimin që duan në Tiranë, duke shmangur edhe kaosin që ndodhte tek ‘Shqiponja’”, u shpreh ai.
Veliaj kërkoi bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e qytetarëve derisa të ndodhë transferimi. Ai nënvizoi se terminali i ri i autobusëve do të harmonizohet edhe me terminalin e trenit për Rinas apo Durrës. “U kërkoj të gjithë qytetarëve pak bashkëpunim, sidomos në ditët e para, teksa bëjmë transferimin në këtë terminal provizor, i cili si vendndodhje do të jetë edhe terminali përfundimtar, pavarësisht sesi infrastrukturë na duhet ende punë. Do të kemi edhe një harmonizim të terminalit të trenit me terminalin e autobusit. Ndaj, nëse dikush do të përdorë trenin nga Rinasi, Durrësi, si aks i parë, pastaj edhe me degëzimet e tjera më afatgjatë, do të ketë mundësi që transportin multimodal ta kryejë në këtë hapësirë me tren, me autobus urban, biçikletë, taksi apo çfarëdolloj mënyre tjetër që do të dojë të qarkullojë në Tiranë”, tha Veliaj.
Një tjetër lajm i mirë është edhe ndërtimi i terminalit të ri juglindor për Tiranën. “Brenda këtij viti do të kemi përfundimisht edhe terminalin juglindor në zonën e Farkës, përveç terminalit qendror në hyrjen perëndimore të Tiranës, këtu në kthesën e Kamzës, për t’u kthyer në një qytet modern, ku janë të ndara hyrjet dhe portat e qytetit për transportin ndërqytetas”, nënvizoi Veliaj.
Sa i përket punimeve në zonën e unazës, ato do të nisin duke filluar nga sheshi “Shqiponja”, për të vijuar më pas edhe me lotet e tjera. “Dua që t’ju njoftoj se do të fillojmë punimet për të gjithë zonën e “Teodor Kekos”, duke filluar me lotin e zonës së “Shqiponjës”. Kjo do të thotë se do të ketë gërmime nën tokë, punime masive me mjete të rënda; brenda kësaj jave do të paraqesim dhe një sistem të ri të trafikut dhe i kërkojmë qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë Rrugore dhe Policinë Bashkiake, që teksa punojmë projektin më të madh të infrastrukturës në këtë mbyllje të shekullit të parë të Tiranës, të kemi mundësi që edhe trafiku të lëvizë, por edhe puna të kryhet”, shtoi Veliaj.
Veliaj tha se tani është koha për të përveshur mëngët dhe për t’u fokusuar tek puna, për ta çuar Tiranën përpara. Ai shtoi se falë këtij projekti do të përfitojë gjithë zona e Astirit. “Në 100 vite kemi bërë shumë dhe mezi pres që në 100 vitet e ardhshme të bëjmë akoma më shumë, duke filluar nga një mënyrë e re e qarkullimit në Tiranë. E filluam me Unazën e Vogël, por tani duhet të përfundojmë tek Unaza e Madhe. Kush ka parë sa kollaj shkohet nga fabrika e miellit deri në dalje në Lundër, për të vazhduar pastaj në autostradë në Elbasan, ia ka parë hajrin investimeve publike të kësaj natyre. Tani zhurma e Astirit ka mbaruar është koha që të përveshim mëngët, të fokusohemi tek puna, dhe ta çojmë Tiranën përpara”, deklaroi ai.
Terminali i ri do të jetë në shërbim të 43 linjave të zonës së jugut dhe 20 linjave të zonës së veriut, duke sjellë jo vetëm kushte më të mira, por edhe lehtësi në qarkullim.